16:05 / E Diele, 17 Korrik 2022 / MSH

“U testuam dhe nuk na kthyen përgjigje për tri ditë”, qytetarja raporton neglizhencën e IKShPK-së

Ditët e fundit, rastet e reja me COVID-19 tregojnë shifra alarmante të të infektuarve.

Lidhur me këtë, si Ministria e Shëndetësisë, ashtu edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po apelon për shtim të kujdesit në zonat publike.

Megjithatë, të dyja duet se po lëshojnë “pe” në aspektin e menaxhimit të të infektuarve.

A.K., ka raportuar në Indeksonline se i ati i saj kishte pasur simptoma të virusit COVID-19 dhe se kishte shkuar për testim në IKShPK.

Të njëjtit nuk i ishte kthyer përgjigjja me rezultatin e testit për tri ditë radhazi.

“Babi ka bërë testin në Institutin e Shëndetësisë Publike dhe pavarësisht kësaj nuk ka marrë përgjigje se a është ose jo i infektuar, dhe pas 3 dite është detyruar të shkojë në laborator privat dhe ta konstatojë gjendjen e tij dhe del që është pozitiv” ka thënë ajo për Indeksonline.

E njëjta ka pohuar se edhe të tjerë familjarë të saj u testuan në IKShPK, e për të cilët vazhdoi prapë e njëjta procedurë vonese.

“Për shkak të presionit që i kemi bërë e kanë dërguar një mesazh duke na njoftuar se njëra motër ka rezultuar pozitiv, njëra negativ ndërsa për gjyshen nuk kemi marrë përgjigje fare. Në fund kemi bërë testin unë dhe vëllau dhe tash e 4 ditë nuk kemi marrë përgjigje fare dhe detyrohemi të izolohemi në shtëpi” ka shtuar ajo.

Shtuar kësaj, ajo thotë se asnjërit nga anëtarët e familjes së saj nuk i është përshkruar terapi për trajtim të COVID-it dhe as nuk u janë dhënë këshilla.

Indeksonline ka tentuar të kontaktojë IKSHPK për të pyetur mbi vijueshmërinë e testimeve, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në telefon.

Ndërkohë, në vetëm 24 orët e fundit, 852 persona rezultuan me COVID dhe një person humbi jetën./Indeksonline/