17:33 / E Mërkurë, 17 Tetor 2018 / indeksADMonline

Udhëzimi administrativ që parasheh gjoba për hedhësit e mbeturinave ishte iniciuar nga Albena Reshitaj

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sot ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ i cili parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre.

Kjo iniciativë ishte nisur në kohën kur në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ishte Albena Reshitaj.

Ajo sot i është gëzuar këtij lajmi, ani pse më nuk është pjesë e këtij dikasteri.

“Dua të falënderoj grupin punues të ekspertëve ligjor nga MMPH duke përfshirë edhe këshilltarin tim ligjor nga kabineti im sa isha ministre ztr. Etrit Ademaj që punuan me përkushtim për të harmonizuar këtë Udhëzim Administrativ me Ligjin aktual dhe për ta bërë gati për tu funksionalizuar nga sot”, ka thënë sot ish ministrja Reshitaj, transmeton Indeksonline.

Ndonëse në shikim të parë, sipas saj, mund të krijojë rezistencë tek qytetarët vendosja e gjobave por ajo ka bindjen e plotë që do të ndikoj shumë në vetëdijesimin qytetarë për mbrojtje të mjedisit që na rrethon nga mbeturinat.

“Ky Udhezim Administrativ u planifikua që të arrij të jetë gati për implementim pikërisht në mes fushatës së pastrimit. Vlerat e gjobës mandatore janë të parapara dhe gjithashtu raportimi i atyre që ndosin mjedisin do te jetë i mundëshëm edhe përmes vetë neve qytetarëve përmes platformave online Ndreqe.com dhe Kallxo gjelbër. Ndërsa autoritetet obligative që do të zbatojnë këtë udhëzim, janë MMPH-ja, Policia e Kosovës, inspektoratet komunale të mjedisit si dhe zyrtarët e tjerë të autorizuar”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për këtë udhëzim, Reshitaj ndër të tjera ka thënë se krijimi i policisë së gjelbër inciativë e saj qysh nga viti i kaluar tashmë do jetë me afër realizimit.

“Për një jetë të shëndetëshme të mbrojmë mjedisin në të cilin jetojmë. Një Kosovë e pastër është një mirëqenije më e mirë për të gjithë ne”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Udhëzimi Administrativ i nënshkruar sot nga ministri Fatmir Matoshi, që ishte iniciuar nga Albena Reshitaj, parasheh që personi i cili hedh cigare në rrugë ose në sipërfaqe publike, do të gjobitet 20 euro; hedhja e mbeturina dhe ambalazhe të ndryshme, 30 euro; hedhja e mbeturinave komunale jashtë kontejnerit për mbeturina komunale 40 euro; personat që hedhin cigare apo mbeturina nga automjeti, 50 euro; personi i cili i hulumton, djeg, dëmton kontejnerët e mbeturinave komunale dhe u ndërron vendin e atyre, 50 euro; personi i cili hedhë çfarëdo lloj mbeturine nga ballkoni ose dritarja e objektit, hedhë mbeturina në pusetat për kanalizim, 70euro; personi i cili hedhë mbeturina nga materialet ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, i cili hedhë mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Me këtë udhëzim ndëshkimi me vlerë më të lartë prej 100 euro do të jetë për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe djegia e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe djegia e mbeturinave në ara të punueshme apo natyre.

Ky Udhëzim Administrativ do të hyjë në fuqi në afat prej shtatë ditësh nga nënshkrimi i tij./Indeksonline/