11:06 / E Shtunë, 18 Janar 2020

UEFA gëzon Bajram Jashanicën

Skënderbeu mund të marrë frymë lirisht, pasi më në fund vjen edhe konfirmimi zyrtar nga ana e UEFA-s dhe komisionit të antidopingut se Bajram Jashanica mund të stërvitet së bashku me grupin dhe madje të marrë pjesë edhe në takimet miqësore të zhvilluara nga Skënderbeu që prej këtij momenti e deri në datën 22 shkurt.

Në bazë të njoftimeve që vijnë nga komisioni i çështjeve të dopingut pranë UEFA-s, mbrojtësi kosovar është drejt fundit të dënimit dyvjeçar për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara nga UEFA.

Burimet bëjnë me dije se në njoftim thuhej saktësisht se futbollisti në fjalë mund të bashkohet normalisht me skuadrën, madje edhe të përdoret në takimet miqësore zyrtare për shkak se dënimi po shkon drejt fundit.

Në këtë korrespondencë të UEFA-s drejtuar klubit, theksohej gjithashtu se pas një muaji afërsisht, më konkretisht në datën 22 shkurt Jashanica shlyen dënimin në masën 100% dhe mund të jetë një lojtar i gatshëm për t’u aktivizuar edhe në ndeshjet zyrtare.

Ky ishte një lehtësim më shumë për vetë lojtarin edhe për klubin bardhekuq që priste me çdo kusht që të rikthente në ekip si një forcë më shumë mbrojtësin në fjalë.

Tashmë Ilir Daja duket se do ketë një prapavijë më të fortë dhe më të kompletuar pas rikthimit të Jashanicës, i cili ishte një nga pikat e forta të Skënderbeut në vitet e fundit. Kujtojmë se Bajram Jashanica rezultoi pozitiv në testin e antidopingut të zhvilluar menjëherë pas ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs zhvilluar në “Elbasan Arena”. Dënimi për të mori formën e prerë më 4 prill të 2018-ës.