19:50 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

Ujërat e zeza në Ferizaj, po ndotin Lumin Nerodime dhe po rrezikojnë banorët e Kaçanikut

Komuna e Ferizajt, pavarësisht zhvillimin në aspektin ekonomik, për fat të keq ende duket se ka mangësi serioze në trajtimin e problematikës së ujërave të zeza.

Madje të gjeturat e fundit thuhet se këto ujëra po i prodhon vet komuna, të cilat në masë të madhe kontribuon që Lumi i Nerodimes të jetë njëri ndër lumenjtë më të ndotur, ku thuajse nuk ka fare gjallesa, ndërsa në rrezik janë edhe banorët e Kaçanikut, përcjellë IndeksOnline.

PZHK e Komunës së Ferizajt 2017-2025 paraqet shkurtimisht gjendjen në terren dhe sipërfaqësisht e përmend që këto ujëra derdhen në këtë lum, mirëpo asgjë më shumë.

Përndryshe te gjitha kanalizimet e ndërtuara gjerë me tani janë të ndërtuara si sisteme të përbashkëta ku:

– Ujërat atmosferike në pjesën urbane të qytetit shkarkohen në të njëjtin kolektor me ujerat e zeza ;

– Ujërat Industriale shkarkohen pa trajtim paraprak në kolektorin e ujërave të zeza apo atmosferike (të dhënat e marra nga PZHK 2017).

Organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi” i bëri një vizitë vendit ku derdhen shumica e ujërave të zeza nga Komuna e Ferizajt si ndotësi më i madh i Lumit Nerodime.

“Vlen të theksohet se pasojat më të rënda i bartin banorët e Komunës së Kaçanikut edhe pse kjo komunë ende nuk ka nderrmarë ndonjë hap konret që të mirret direkt me këtë problematikë pasi edhe kjo kjo komunë në vazhdimësi po e bën të njejtën gjë.

Në dalje të fshatit Varosh janë dy gypa të mëdhenj që derdhin vazhdimisht sasinë e madhe te ujërave të zeza të bashkëdyzyara, atyre industriale si dhe ujërave atmosferik.

Jozyrtarisht, në mënyrë paradoksale, shumë profesionistë nga Ferizaj e konsiderojnë se ata e kanë zgjidhur problemin e ujërave të zeza të komunës së tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Ndryshe,  “Gjethi” vazhdon të trajtojë problematika mjedisore, si dhe dokumentimin e gjendjes në terren kur kemi të bejmë me qështje mjedisore dhe me ndotësit primarë të mjedisit dhe lumenjëve në regjion.