19:01 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ukshini: Pavarësisht Serbisë, Kosova nuk do të ndalet

I ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshni, deklaroi sot se “edhe pse Kosova nuk u anëtarësua në INTEROPL është punuar shumë fort, në shumë drejtime dhe në mënyrë sistematike, ka pasur një qasje gjithëpërfshirëse”.

Në një intervistë televizive, Ukshni theksoi se “kemi punuar me vendet mike dhe me Shqipërinë, por duhet pasur parasysh që sistemi për t’u anëtarësuar është me 2/3 e votave. Megjithëse ne kishim më shumë shtete përkrahëse, fatkeqësisht vota me 2/3 nuk u arrit”.

Ne, vijoi ai, kishim shumë shtete që na përkrahën, por përsëri nuk arrit anëtarësimi”.

“Fatkeqësisht Serbia me këtë qasje ose vendet që ishin mbrapa saj, dëshironin që duke goditur Kosovën, të godisnin edhe miqtë dhe aleatët tanë. Disa nga këta vende ishin Venezuela, Siria, Irani. Këtu është një luftë gjeopolitike që i kalon përmasat e Kosovës. Në Interpol janë pranuar vende me 200 mijë banorë, vende që kur shikon fotografinë e policive të tyre lënë për të dëshiruar”, nënvizoi Ukshini duke shtuar se policia e Kosovës ka vlerësime ndërkombëtare në të gjitha drejtimet edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë u shpreh se “ushtria dhe policia e Serbisë janë përgjegjëse të katër luftërave per genocide, përdhunime, etj. Daçiç dhe Vuçiç kanë qenë protagonistë në qeverinë e Millosheviçit dhe e dinë saktë se çfarë krimi kanë bërë në Kosovë”.

Ukshini vlerësoi se tendenca e Serbisë gjoja për t’u bërë viktimë është një tendencë për të fshehur krimin serb dhe ata kanë frikë se nëse pranohet Kosova mund të ngre padi ndërkombëtare.

Sipas tij, Serbia dëshiron ta lëndojë ecjen e rrugës së Kosovës.

“Kosova në procesin e anëtarësimit të kësaj organizate ndërkombëtare është e pandalshme, nuk ka vend për dekurajim. Në që sot kemi shumë punë për të bërë. Serbia ka bërë shërbim të keq se po helmon brezin e ri me një mendësi të së kaluarës”, tha Ukshini.

Kosova as dje, më 20 nëntor, në raundin e dytë nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Interpol. Shtetet e pranishme nuk ia dhanë votat e mjaftueshme Kosovës që të jetë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare.