Ulen tarifat tregtare, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut me marrëveshje të re
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë arritur një marrëveshje të gjerë tregtare.
Ndihmësi presidencial i Koresë së Jugut, Kim Yong-beom, tha se të dyja palët do të ulin tarifat reciproke nga 25% në 15%, siç u dakorduan më parë këtë vit.
Koreja e Jugut do të investojë gjithashtu 350 miliardë dollarë në SHBA, duke përfshirë 200 miliardë dollarë në investime në para të gatshme dhe 150 miliardë dollarë në ndërtimin e anijeve, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili aktualisht ndodhet në një udhëtim njëjavor në Azi, tha se marrëveshja u “finalizua pothuajse plotësisht” në një darkë pas diskutimeve, të cilat zgjatën pothuajse dy orë. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
“Sot patëm një takim të jashtëzakonshëm me Korenë e Jugut”, tha Trump për diskutimet e tij me homologun nga Koreja e Jugut, Lee Jae myung.
“Diskutuam disa gjëra të tjera që kishin të bënin me sigurinë kombëtare etj. Dhe mendoj se arritëm në një përfundim për shumë çështje shumë të rëndësishme”.
Trump kishte vendosur një normë tarifore prej 25% për Seulin në fillim të këtij viti – të cilën Lee arriti ta ulte në 15%, pasi Seuli tha se do të investonte 350 miliardë dollarë në SHBA dhe do të blinte gaz natyror të lëngshëm me vlerë 100 miliardë dollarë.

