10:36 / E Premte, 17 Janar 2020 / indeksADMonline

“Unë po vuaj, por Kosova…”: Ambasadori tregon bisedën me Haradinajn para Sheshelit, në Hagë

Mal Berisha ish-ambasador, studiues ishte i ftuar në emisionin e sotëm ABC-ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demi.

Berisha ka shqipëruar librin e autorit Benjamin Dizraeli, “Naltësimi i Iskënderit”.

Gjatë bisedës në studio, foli për librin që ka shqipëruar, por edhe për vendimin e Edi Ramës, për të ngritur padi ndaj Ramush Haradinaj.

Sipas ish-ambasadorit, ky veprim ishte i tmerrshëm e absurd, aq më tepër kur ky veprim përkonte, edhe në ditën kur ishte kryer Masakra e Reçakut.

Berisha tregoi edhe një episod të shkurtër nga momenti kur Ramush Haradinaj ishte arrestuar dhe ishte dërguar në Hagë:

Biseda në studio:

Enkel Demi: Pardje kryeministri Rama ka pa padiur Ramush Haradinaj. Çfarë mendoni?

Mal Berisha: Në fakt për mua është veprim tmerrësisht i gabuar, çfarëdo që të kishte bërë Haradinaj. Mund t’ju tregoj një episod.

Kur do të lëshohej opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kam pasur fatin historik të jem i deleguari i Ministrisë së Jashtme në Gjykatën e Hagës, kam qenë në gjyqin atje si përfaqësues i Shqipërisë. Nga valët radiofonike të BBC-së, mësoj se Ramush Haradinaj ishte arrestuar. Mora në telefon Sali Berishën dhe i thashë:

Mal Berisha: E morët vesh?

Sali Berisha: Çfarë?.

Mal Berisha: Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe e kanë nisur për Hagë. Ndërkohë unë jam rrugës për Hagë për vendimin ndaj Kosovës.

Sali Berisha: Mbaje telefonin hapur dhe do të marrë prapë kur të jesh atje.

Mal Berisha: Kur vajta atje me dha porosi se nuk duhet të kthehesha pa takuar Ramush Haradinajn në burg. Me një procedurë të jashtëzakonshme arritëm ta takonim. Po na priste, shumë i qetë, me statujë prej burri që nuk thyhet aq kollaj, sepse ka parë aq shumë. Ishte hera e dytë që arrestohej. Në kohën kur po bisedonim, vëzhgova policët dhe e pyes Haradinajn.

Mal Berisha: Po këta serbët që vërtiten këtej i ke parë ndonjëherë? Ai po më tregonte se kë kishte parë, kur befas atë moment u shfaq Vojisllav Sheshel, i cili ishte në burg, kaloi përpara nesh. Ktheu kokën dhe pa Ramushin aty dhe iu drejtua:

Vojisllav Sheshel: Ramush si je? Të prunë prapë këtu?

Ramush Haradinaj: Po.

Vojisllav Sheshel: Mos u mërzit, kësaj here për me ja bo Tadiqit më të lehtë, atë që i bënë dje, të prunë ty këtu. Të prunë këtu, se ti je i mirë për të prurë këtu, me la hesapet që ka bo Serbia.

Enkel Demi: Këtë e ka thënë Shesheli?

Mal Berisha: Shesheli, në prezencën time dhe të ambasadorit tjetër në Hagë në atë kohë.

Ramushi u ul, qeshi me të madhe dhe tha: “shife çfarë bën Serbia. Ne e morëm tani, Kosova është e pavarur. Unë do vuaj edhe një herë, nuk e di sa do shkojë kjo punë”.

Tani, ti vijë edhe një padi nga Tirana, është gjëja më absurde që ndodh në botë. Kush janë ata që e këshillojnë kryeministrin shqiptar.

A nuk ka nga ata burra që t’i thonë Ramës, se sikur edhe ta fusësh në burg, ty nuk të vlen kjo?! Shqipërisë nuk i vlen. Shqipërisë dhe Kosovës nuk i vlen në marrëdhënien e tyre.

Mendoj që duhet të ketë një burrë që ti thotë: “Shiko ndale dorën! Jo edhe në ditën e Recakut”.

Gjithë bota dje e ka kujtuar Recakun. William Walker edhe dje ka qenë në Recak, duke qarë për viktimat atje. Kjo ngjarje e tmerrshme nuk duhet të përkonte me veprimin e Ramës.