15:56 / E Enjte, 29 Korrik 2021 / OSH

UNICEF-i i dhuron Ministrisë së Shëndetësisë 500,000 doza të tretësirës deksametazon për injeksion

 Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sistemit shëndetësor në Kosovë, UNICEF-i dhuroi sot 500,000 doza të tretësirës deksametazon për injeksion, një bari që përdoret për një varg të gjerë të sëmundjeve – kritik për trajtimin e pacientëve me gjendje të rëndë nga COVID-19.

Dorëzimi i këtyre produkteve – me vlerë totale prej 186,000 dollarë amerikanë – është financuar nëpërmjet Përshpejtuesit për Qasje në Mjetet ndaj COVID-19 (Fondi për Financimin e Furnizimeve ACT-A (ACT-A SFF)), të krijuar nga UNICEF-i. Që nga viti 2019, Zyra Rajonale e UNICEF-it dhe Zyrat e Vendit në Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore (ECAR) kanë dhënë mallra programatike në vlerë më të madhe se 47 milionë $.

Deri më tani, Zyra e UNICEF-it në Kosovë e ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë me një donacion prej 163,020 vaksina kundër COVID-19 nëpërmjet COVAX. Nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, UNICEF-i e ka mbështetur Sistemin Informativ Shëndetësor nëpërmjet dixhitalizimit të moduleve të regjistrimit dhe caktimit të terminit për vaksinat kundër COVID-19. Mbështetje shtesë i është ofruar Ministrisë së Shëndetësisë në përgatitjen e vendeve për vaksinim në komuna. Kjo ka përfshirë ofrimin e pajisjeve të TI-së për printimin e kartelave të vaksinimit – si laptopëve dhe printerëve – si dhe pajisjeve tjera për sigurimin e infrastrukturës së duhur të vendeve të vaksinimit. Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i i ka mbështetur institucionet për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19 nëpërmjet ofrimit të 24 tonë PPM dhe 40 përqendruesve të oksigjenit.

”Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje për bashkëpunimin me UNICEF-in me sigurimin e kësaj terapie të nevojshme për pacientët që marrin shërbime në institucionet shëndetsore publike në Kosovë, ” – theksoi Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Komunikimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Zyrja e UNICEF-i në Kosovë do t’i durojë edhe 556,620 vaksina shtesë kundër COVID-19 nëpërmjet mekanizmit COVAX deri në fund të vitit. 

Përfaqësuesit e UNICEF-it nënvizuan në ceremoninë e dhurimit të donacionit partneritetin që kanë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbështetjen në zbatimin e fillimit të Planit Kombëtar të Kosovës për Shpërndarje dhe Vaksinim, i cili po vazhdon për të gjitha grupet me prioritet. Përveç dorëzimit të donacioneve, UNICEF-i do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet e Kosovës në rritjen e njohurive dhe vetëdijesimin për vaksinat kundër COVID-19, promovimin e praktikave kyçe të parandalimit dhe inkurajimin e të gjithë qytetarëve që të vaksinohen. 

Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt.

Çka është ACT

Përshpejtuesi i Qasjes në Mjetet ndaj COVID-19 (ACT) është bashkëpunim novator global për përshpejtimin e zhvillimit, prodhimit dhe qasjes së barabartë në testet, trajtimet dhe vaksinat kundër COVID-19.

#Për UNICEF-in

UNICEF punon në disa nga vendet më të vështira të botës, për të arritur te fëmijët më të pafavorizuar në botë. Ne punojmë kudo dhe për çdo fëmijë në më shumë se 190 shtete dhe territore, me qëllim që të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë. Për më shumë informacione rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët vizitoni www.unicef.org/coronavirus. Gjeni më shumë informacione lidhur me punën e UNICEF-it për vaksinat kundër COVID-19 këtu apo rreth punës së UNICEF-it për imunizim këtu.