20:22 / E Hënë, 09 Shtator 2019 / indeksADMonline

Universitet laissez-faire apo universitete ndërmarrëse?!

Shkruan Besart L. HAJRIZI

Interaksioni dinamik dhe nevoja për intensifikimin e raporteve ndërmjet universitetit, industrisë dhe qeverisë për herë parë paraqitet përmes modelit të Henry Etzkowitz të ashtuquajtur Triple Helix. Etzkowitz përshkruan evoluimin e universiteteve përmes tri gjeneratave kryesore. Ai fillimisht i konsideronte Universitetet e gjeneratave të para si shtëpi edukative, ku misioni primar universitar ishte edukimi. Megjithatë, sipas tij, ato i karakterizonte bashkëpunimi i dobët me qeverinë e biznesin, në njërën anë, dhe partneriteti aktiv me kishën e monarkun, në anën tjetër. Gjeneratën e dytë ai e përshkruan si bazë të zhvillimit ekonomik që, sipas tij, përfaqësonte rolin kryesor të edukimit dhe kërkimit në shoqëri. Si rezultat i intensfikimit të aktiviteteve kërkimore, njohuritë u bënë shumë më të arritshme përmes bashkëpunimit kërkimor në tregun masiv, ndërsa bashkëpunimi me kishën dhe monarkun filloi të dobësohej. Gjenerata e tretë e universiteteve kontemporare, sipas Etzkowitz, janë ato që ndihmojnë në zhvillimin dhe mbështetjen e inovacionit, ndërmarrësisë dhe zhvillimit ekonomik rajonal dhe priren të kenë marrëdhënie domethënëse me biznesin përmes veprimtarive ndërmarrëse.

Nuk ekziston një përkufizim për universitetin ndërmarrës, por ekziston një shumëllojshmëri e qasjeve dhe praktikave, të cilat e dallojnë stilin ndërmarrës të një universiteti. Revolucioni i teknologjisë së informacionit dhe i komunikimit, shfaqja e ekonomisë së dijes, turbulenca e ekonomisë dhe kushtet e financimit kanë hedhur dritë të re dhe kërkesa të reja në sistemet e arsimit të lartë në të gjithë botën.

Universitetet duhet ta shohin veten si mjedise ndërmarrëse të mbështetura në vlerat/misionet e përbashkëta e jo të shërbejnë si sisteme të hollësishme të kontrollit. Për t’u zhvilluar si një universitet ndërmarrës me një kulturë ndërmarrëse, aktivitetet ndërmarrëse duhet të vendosen në strategji. Një universitet ndërmarrës duhet të ketë një deklaratë të misionit me një vizion ndërmarrës për të ardhmen e institucionit, si dhe objektiva specifike të ndërlidhura me ndërmarrësinë (p. sh., gjenerimin e motivimit ndërmarrës, gjenerimin e kompetencave dhe shkathtësive ndërmarrëse, përkrahjen e fillimit të bizneseve, shpërndarjen e rezultateve të kërkimit nëpërmjet transferimeve teknologjike, gjenerimin e të ardhurave për institucionin nga aktivitetet spin-off, si dhe forcimin e bashkëpunimit midis institucionit dhe firmave vendore). Duhet përkushtim për zbatimin e strategjisë të ndërlidhur me agjendën e ndërmarrësisë dhe, për të arritur këtë agjendë, strategjia duhet të jetë e njohur në të gjithë institucionin si dhe të kuptohet si prioritet nga stafi dhe studentët. Tejkalimi i barrierave burokratike është çelësi për një universitet të suksesshëm ndërmarrësie. Universitetet me më pak barriera ose hierarki e kanë më të lehtë ndërmarrjen e aktiviteteve që përshpejtojnë krijimin e ideve dhe vendimmarrjen. Përveç barrierave burokratike, edhe dallimet kulturore e misionare, mungesa e kohës dhe shpërblimet e vonuara nga interaktiviteti dinë të pengojnë në masë të madhe interaksionin ndërmjet akterëve. Akterët e jashtëm, në përgjithësi, dhe industria, në veçanti, duhet të vlerësohen nga universiteti, pasi që prej tyre buron aftësia, njohuria dhe mundësia shtesë për zhvillim. Sipas Rohrbeck dhe Arnold (2013), shtytësit kryesorë të universitetit për të bashkëpunuar me industrinë janë: sigurimi i resurseve financiare, sigurimi i burimit për të dhëna empirike dhe të dijes, ngritja e reputacionit, mundësitë më të mëdha për punësim etj. Shtytësit kryesorë të industrisë, sipas Lambert (2015), për të bashkëpunuar me universitetin janë: shfrytëzimi i laboratorëve, shfrytëzimi i resursit intelektual, shfrytëzimi i universitetit si kanal i rëndësishëm për rekrutim, realizimi i projekteve të përbashkëta kërkimore etj.

Dy nga funksionet kryesore të universiteteve ndërmarrëse janë mbështetja dhe nxitja e zhvillimit rajonal, shoqëror dhe atij të komunitetit, prandaj, ato duhet të jenë akterë aktivë, të lidhur me mjedisin e tyre të jashtëm, dihet, duke pasur një prani të fortë në komunitet. Involvimi përfshin sigurimin e lehtësive për të tjerët jashtë institucionit, pjesëmarrjen në grupet rajonale, mbështetjen e veprimtarive kulturore dhe artistike lokale, dhënien e mundësive për fillimin e kompanive rajonale dhe marrjen e një roli aktiv në përcaktimin e drejtimit strategjik të zhvillimit lokal. Është shumë e rëndësishme që çdo universitet të investojë në aktivitetet e veta ndërmarrëse nëpërmjet një strategjie të qëndrueshme financiare, por nuk është mirë të përqendrohet në burime të kufizuara të financimit publik. Universitetet janë ndërmarrëse vetëm atëherë kur nuk ngurrojnë të maksimizojnë potencialin e tyre, të zgjerojnë burimet e financimit dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre nga financimet shtetërore/publike.

I gjithë stafi dhe studentët duhet të jenë akterë shumë të rëndësishëm që mbështesin agjendën e ndërmarrësisë. Të gjitha pjesët e universitetit duhet të punojnë së bashku, për të krijuar sinergji dhe lidhje në fakultete, departamente dhe struktura të tjera për të thyer kufijtë tradicionalë të operimit. Ndërtimi i një kulture ndërmarrëse brenda stafit është thelbësore për universitetet, sepse mundëson rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së aktiviteteve ndërmarrëse. Inkurajimi dhe shpërblimi i sjelljes ndërmarrëse në të gjithë personelin përforcon angazhimin për t’u zhvilluar si një universitet ndërmarrës. Në shumë vende të botës, personeli akademik përfshin ligjërues që gjysmën e orarit të punës e kalojnë në universitet dhe gjysmën tjetër në industri (cross-employed), apo edhe studentë të doktoraturës që rezultatet e tyre kërkimore lehtësisht i transmetojnë përmes ligjërimit.

Në universitetet e angazhuara aftësitë ndërmarrëse nuk ofrohen vetëm përmes ligjërimeve tradicionale. Shumë qasje të tjera përdoren për të prodhuar rezultatet e dëshiruara të të mësuarit dhe ndërtimit të një diapazoni ndërmarrës. Çështja kryesore qëndron tek rritja e aftësive të studentëve dhe tek gatishmëria për të reflektuar karshi mundësive që ofron tregu. Metoda të tjera për të përvetësuar aftësitë ndërmarrëse janë edhe: përdorimi i mentorëve, të mësuarit ndërdisiplinor, fillimi dhe drejtimi i kompanive nga ana e studentëve, dhënia e çmimeve dhe shpërblimeve për ndërmarrësit e suksesshëm, rasteve studimore, lojërave dhe simulimeve, studimeve të dështimit të bizneseve etj.

“Provincialisti” mitrovicas dhe Universiteti “provincial” i Mitrovicës

I rritur në mesin e prindërve të përkushtuar ndaj fëmijëve, kudo më përcillte nofka “fëmijë i punëtorëve të arsimit”. Me këtë togfjalësh nuk përgëzoheshe si një fëmijë intelektuali që ka gjasën të jetë i mbarë, i edukuar mirë etj., por ofendoheshe dhe përbuzeshe deri në masën e një skamnori apo të gjori që edukata barasvlerësohej me përbuzje dhe nënshtrim… E, kur në një shoqëri vlera ofendohet, ajo nuk tjetërsohet, por fuqizohet dhe shndërrohet në një thesar të vlefshëm, të pakontestueshëm dhe të dobishëm madje edhe për ofenduesit. I rritur në mesin e gjuhëtarëve, sociologëve, pedagogëve, matematikanëve, inxhinierëve, mjekëve, por edhe të tregtarëve e zanatçinjve të devotshëm e të suksesshëm, jetën time me gjasa të mëdha e kishte afektuar shëmbëlltyra  e orientimit të mirëfilltë edukativ. Si një fëmijë i të përndjekurve dhe i rritur nën ndikimin dhe presionin hegjemonist të ushtruar nga masat e dhunshme, jetën time nuk ka se si të mos e afektonte dashuria për vendlindjen dhe gatishmëria për të jetuar e kontribuar në të dhe për të. E, kur ndokush tjetër si unë, nuk posedon shëmbëlltyrën e as kushtet financiare për t’u shkolluar ‘diku atje larg’, çfarë mund të pritet prej tij?!

Afër perëndimit të diellit të së shtunës, takova një mik të klasës, i cili shërbente si kamerier me nder në një prej kafeneve të Mitrovicës. Kishim regjistruar studimet njëherazi, unë në Prishtinë, ndërsa ai në njërin prej drejtimeve në Mitrovicë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës (UP). Të shërbesh si kamerier, për mua nënkuptonte se ai ende nuk kishte diplomuar dhe kështu ishte detyruar të shërbente që të mbante familjen e tij të posakrijuar. Pasi u zgjeruam në diskutim, ai me druajtje më njoftoi se kishte diplomuar. U çudita se si ka mundësi që drejtimi që kishte mbaruar, të mos ia hapte perspektivën për punë një të riu mendjendritur e të përgatitur profesionalisht, duke marrë parasysh faktin se tregu kishte deficit të këtij resursi intelektual dhe se shumica që diplomonin në atë drejtim, lehtë rekrutoheshin nga sektori privat. U përpoqa maksimalisht që habinë time të mos e shprehja jo vetëm me pamjen e fytyrës, por as me fjalë. Ai pastaj më sqaroi se qe dhjetë vjet ndodhet në vitin e parë, aty në degën ku unë presupozoja se kishte përfunduar studimet, ndërsa kishte diplomuar në një universitet privat, të cilin e kishte regjistruar ditën kur kishte filluar të shërbente si kamerier…

Pranë prarimit të diellit të së dielës, kalimthi duke përshkuar shtegun e gjatë, drejt shkollës fillore “Migjeni”, miku im kamerier, tanimë i diplomuar, më prezantoi projektin e kampusit universitar në Mitrovicë. Instiktivisht më gëzoi ky fakt, sikur ta dija se po vije dita që ëndrra ime, në vendin e ëndrrave të mia të bëhej realitet! Pra, përvoja shumëvjeçare e shumë studiuesve e akademikëve mitrovicas nën përfaqësimin e UP-së sikur kishte filluar të konkretizohej në një pavarësi institucionale e akademike në Marsin e vitit 2013! Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) po bëhej universitet i modelit statist, për t’u transformuar në një universitet të modelit laissez-faire, e për të synuar modelin e universitetit të parë ndërmarrës në viset shqipfolëse! E gjithë kjo brenda një periudhe të shkurtër kohore! UMIB kishte filluar t’i japë zgjidhje problemit të “kamerierëve”, duke ofruar studime me programe kontemporare dhe me angazhime sistematike studimore e kërkimore. Fatkeqësisht, dikush nuk e lejoi këtë transformim rapid të këtij institucioni, sikur ishin të “vetëdijshëm” se në një qytet të vogël mjafton Universiteti paralel i Prishtinës!

Pra, siç po duket jetën time do ta përcjellin “ofendime pas ofendimesh”, për të cilat nuk mbaj asnjë lloj përgjegjësie e as mundësie për të ndikuar a për ta ndryshuar këtë fat“keqësi”! I zhvilluar në mesin e një universiteti të përkushtuar ndaj kuadrove të reja, tani kudo është duke më përcjellë nofka “profesor i universitetit të mbyllur”. Më kot ua shpjegon njerëzve të rëndomtë se universiteti nuk është mbyllur, por nuk është riakredituar, që nënkupton se vitin e ardhshëm përsëri ka mundësinë e riaplikimit pranë Agjencisë kosovare për akreditim (AKA). Fatkeqësisht, ky opinion i ndërtuar, në masë të madhe ka dëmtuar reputacionin (goodwillin) e këtij institucioni “foshnje” të arsimit të lartë. Mos-akreditimi për një vit akademik nuk është problemi, edhe pse përmirësimi i kualitetit në një institucion të arsimit të lartë nuk synohet përmes penalizimeve on/off, por përmes evoluimeve dhe mbikëqyrjes sistematike të standardeve të arsyeshme e të përcaktuara nga AKA. Problemi qëndron tek tendenca që çdo gjë të centralizohet në Prishtinë! Raportin e institucioneve të arsimit të lartë për kokë banorësh e shkatërron regjioni i Prishtinës dhe jo Peja, Prizreni e, aq më pak, Mitrovica. Nëse i referohemi hipotetikisht analizës cost-benefit të secilit institucion të arsimit të lartë veç e veç, vërejmë se të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë përformojnë substancialisht me efiçiencë më të lartë se sa UP-ja (të gjitha bashkë shpenzojnë sa 40% të UP-së). Edhe rangimet e universiteteve nëpër botë dëshmojnë se UMIB për kaq pak vite ka arritur progres të pashembullt në listat e universiteteve botërore! Spanish National Research Council përmes Cybermetrics Lab rangoi UMIB-in në pozitën e dytë në mesin e universiteteve publike të Kosovës (14,305), menjëherë pas UP-së (2,776).

UMIB, në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, themeloi Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila do të shërbejë si bazë e qëndrueshme për realizimin e misionit të tretë, i cili ka për qëllim marrjen e përgjegjësive në mënyrë aktive nga ana e universitetit jo vetëm që të gjenerojë dije të re, por edhe të ndikojë pozitivisht në perspektivën sociale dhe ekonomike të regjionit. Për çdo vit akademik UMIB organizon tryezën e rrumbullakët me përfaqësues nga qeveria, biznesi dhe universitetet tjera, e cila ka për qëllim identifikimin e rolit dhe rëndësisë që kanë institucionet e arsimit të lartë drejt intensifikimit të interaksionit universitet-industri. Si rezultat i rekomandimit të dalë nga kjo tryezë, UMIB themeloi edhe Bordin Industrial si trupë konsultative përbrenda universitetit e të përbërë nga përfaqësues biznesorë regjionalë. Përmes aktiviteteve të Qendrës së Karrierës dhe Asociacionit Alumni, UMIB tregon përkushtimin drejt ndërtimit të një karriere të suksesshme të studentëve dhe gatishmërisë për t’u shërbyer reciprokisht përgjatë gjithë jetës. UMIB, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Mineralenë baza vjetoreorganizon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare dhe Multidisiplinare me titull “Gjeoshkencat, roli i tyre drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”. Gjithashtu, UMIB vazhdon të shërbejë si nikoqir i konferencave ndërdisiplinore ndërkombëtare, siç është rasti i konferencës me titull “Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global”, të organizuar në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Asociacionin Ndërkombëtar të Sociologjisë, Shoqatën Sociologjike Shqiptare, si dhe Institutin Shqiptar të Sociologjisë. Përkundër ballafaqimit me barrierën e vizave,  studentët dhe stafi i UMIB-it, arrijnë që të sjellin edhe përvojën nga universitete me renome ndërkombëtare në kuadër të shkëmbimeve, studimeve (Master, PhD dhe Post-Doc), projekteve të përbashkëta si dhe pjesëmarrjes në konferenca dhe simpozioumeve ndërkombëtare shkencore jashtë vendit.

Vendimi i fundit i AKA-së kundruall UMIB-it dëshmon se investimet qeveritare dhe vendimet e kësaj agjencie të pavarur nuk janë aspak të harmonizuara. UMIB posedon infrastrukturën më moderne universitare në regjion. Në kuadrin e kampusit universitar ka filluar ndërtimi i konviktit, menzës,  dhe ambulancës shëndetësore. Lind pyetja, për kë po bëhen këto investime? Nëse tërësia është refleksion i pjesëve përbërëse të saj, atëherë si ka mundësi që shumica e programeve studimore të akreditohen, ndërsa institucioni JO?! Lind pyetja kë reprezentojnë këto programe? Prapë, problemi nuk qëndron tek subjekti (mos-akreditimi i UMIB-it për një vit), por tek dukuria (centralizimi)!

Përfundimisht, kur këtij angazhimi, progresi dhe kësaj efiçience i shtohet përvoja e IAL-ve tjera, atëherë konkludojmë se decentralizimi i IAL-ve në Kosovë përmes specializimeve të tyre të përcaktuara nga nevojat e tregut, është shumë herë më i dobishëm për shoqërinë sesa centralizimi i arsimit të lartë në Prishtinë.

Jeni për universitet laissez-faire apo universitete ndërmarrëse?!

Autori është ligjeruës në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mitrovicës