07:37 / E Martë, 24 Tetor 2023 / AR

Urald King, përforcimi i fundit i Pejës

KB Peja ka shtuar në radhët e veta edhe një basketbollist të huaj, i cili pritet të jetë ndihmesë mjaft e madhe për ekipin e drejtuar nga Rami Hadar.

“Gazeta Express” mëson se bëhet fjalë për Urald King, i cili pritet që shumë shpejt të zytarizohet nga klubi pejan.

Basketbollisti amerikan luan në pozitat 4/5. Ai është i gjatë 198 centimetra.

Pas lëndimit të Lis Shoshit, te Peja u shtuan problemet për lojën nën-kosh, andaj klubi duket se ka reaguar duke transferuar King, i cili vlerësohet si forcë e madhe e shtuar për atë zonë.

Sezoni i kaluar (2022/23) ishte fantastik për 33-vjeçarin, i cili fitoi tripletën me ekipin austriak, Swans Gmunden, duke fituar titullin e kampionit në elitën e basketbollit në Austri, si dhe fituan trofeun e Kupës dhe Superkupës.

King u shpall “MVP” – lojtari më i mirë i sezonit – pasi luajti me mesatare prej 16.9 pikëve për ndeshje, 9.7 kërcimeve dhe 1.8 asistimeve.

Ai paraqitje të mira regjistroi edhe në FIBA Europe Cup, ku luajti me mesatare prej 16.5 pikëve, 7.5 kërcimeve dhe 1.5 asistimeve.

Amerikani në verën e këtij viti u transferua te ekipi izraelit, Maccabi Ma’ale Adumim, por pas situatës së krijuar atje dhe pezullimit të aktiviteteve sportive, ai u largua.

Në të kaluarën, King ka bërë karrierë edhe në Gjermani, Islandë, Francë dhe Finlandë.

Urald King tashmë ndodhet në qytetin e Pejës, nga ku ai ka bërë edhe një postim në llogarinë e tij në “Instagram”. Ai gjithashtu ka filluar të ndjekë kampionët e Kosovës në rrjetet sociale.

Peja të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup, këtë herë në palestrën “Karagaçi”, ndaj Den Bosch.

Pas kësaj, “Verdhezinjtë” do të rikthehen në fundjavë me derbin e javës së gjashtë në Superligën e Kosovës, ndaj Sigal Prishtinës.