Uran Ismaili me “letra çelë” për shtrenjtimin e rrymës: Kurti flet për drejtësi, por qeveris me tenderë të kurdisur në WhatsApp
Nënkryetari i PDK-së dhe kandidati për deputet, Uran Ismaili, në serinë “Me letra çelë”, ka folur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se ajo nuk është pasojë e zhvillimeve globale, por e keqmenaxhimit, abuzimit dhe mungesës së transparencës në qeverisjen aktuale.
Ismaili ka përmendur një rast në KEK, ku sipas tij, dyshohet për keqpërdorime në vlerë prej mbi 37 milionë eurosh në procedura të prokurimit.
“Ky është problemi kur shtetin e sheh si pronë partie, ligjin si dekor, ndërsa çmimin e faturës së lartë të rrymës e paguan qytetari. Vetëm në këtë rast, 37 milionë euro është vlera e pretenduar e keqpërdorimeve në KEK”, ka thënë Ismaili.
Sipas tij, nëse kjo shumë përllogaritet me rreth 300 mijë familje në Kosovë, i bie që secilës familje t’i jenë marrë rreth 120 euro pa u pyetur fare. “Kjo është plaçkitje.
Albin Kurti ka ndërtuar një pushtet që flet për drejtësi, por realisht qeveris me tenderë në WhatsApp”, është shprehur Ismaili. Ai ka thënë se çmimet rriten kur nuk ka transparencë, konkurrencë dhe trajtim të barabartë, duke bërë thirrje që më 7 qershor t’i jepet fund kësaj qeverisjeje dhe “shteti t’u kthehet qytetarëve”.

