13:13 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Uran Ismaili – Zemajt: Të rritet urgjentisht numri i testimeve dhe të sigurohet trajtim për pacientët nëpër shtëpi

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është ballafaquar sot në Komisionin parlamentar me ministrin aktual Armend Zemaj.

Ismaili e ka pyetur për një sër çështjes ministrin Zemaj. Ai ka thënë se është dëshpëruese se si dy ministra të Shëndetësisë nuk kanë arritur që të siguronin aparaturat e duhura për testim të COVIDIT.

“Në kohën e COVIDIT, prioritet i madh ka qenë testimi. Më herët 50 për qind i mostrave kanë rezultuar pozitivë. Po të kishim më shumë testime, do të kishte edhe më shumë të infektuar. Prandaj nuk kemi mundur ta menaxhonim mirë këtë situatë sepse s’kemi pasur mjaftueshëm testime”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shtuar se rreziku është i madh që të ketë një valë të dytë, andaj sigurimi i këtyre aparaturave është urgjent.

“Rreziku i valës së dytë është permanent dhe nëse ne nuk i kemi aparaturat e duhura, atëherë do të ballafaqohemi me probleme të shumta. Ju kisha lutur të jeni më vizionar rreth asaj se cfarë do të mund të ndodhë në nëntor ose më tej.”, ka thënë Ismaili.

Aktualisht janë 1.200 raste aktive me COVID në Kosovë, ku 164 prej të të prekurve janë të shtruar në klinikat e QKUK-së. Me këtë rast, duke parë numrin e madh të pacientëve që janë duke u trajtuar nëpër shtëpi, Ismaili ka thënë se sistemi shëndetsor duhet të ketë kujdes më të madh për ata pacientë.

“Pacientët të cilët nuk po janë në sistemin shëndetsor, po kanë mungesë mbështetjeje. Janë të hutuar. Kanë frikë të madhe. Nuk po dinë ku të drejtohen. Nuk po dinë cilat janë analizat, të cilat duhet të bëhen etj. Ka një brengë të madhe te familjet se çfarë duhet të bëjnë ata. Nuk është e drejtë që ata të shtrohen vetëm në spital, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mund t’u ndihmojë. Duhet të ndihmohen edhe pacientët nëpër shtëpi.”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka ftuar ministrin Zemaj që të kujdesen më shumë edhe për personat, të cilët e përfundojnë COVIDIN, sepse, sipas tij, shumë prej tyre po kanë probleme të ndryshme shëndetësore edhe më tej.