10:46 / E Diele, 17 Mars 2019 / indeksADMonline

Ushqimi i ushtarëve i kushton Kosovës 1.2 milionë për 6 muaj!

Ministria e Forcës së Sigurisë ka nënshkruar kontratën e radhës për këtë vit.

Titulli i kontratës i dhënë nga autoriteti kontraktues “Furnizimi, përgatitja dhe shërbimi i ushqimit për nevoja urgjente të FSK-së dhe MM-së”, ka kushtuar hiç më pak se 1.275.600, 00 euro, transmeton Indeksonline.

Në këtë kontratë bëhet e ditur se tenderi me çmimin më të ulët ka qenë 1.221.00.00 euro.

Poashtu bëhet e ditur se vlera e parashikuar e kontratës ishte 1.300.000,00.

Vendi kryesor i realizimit do të bëhet nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Pomozotin, Prizren, Gjilan dhe Istog.

Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është 6 muaj, dhe adresa e operatorit ekonomik të cilit i është dhënë tenderi është “Beni Dona Plast” Sh.p.k.

Indeksonline për këtë kontratë ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ndër të tjera jep sqarimet e saj.

“Kontrata ekzistuese përfshin “Furnizimin, përgatitjen dhe shërbimin me ushqim për nevoja urgjente të FSK-së dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas menysë (mëngjes, drekë dhe darkë) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, si dhe në përputhje me kushte të tjera të veçanta të përcaktuara në këtë kontratë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

“Kontrata do të jetë me kohëzgjatje deri në lidhjen e kontratës së re por jo me shumë SË GJASHTË MUAJ, në rast se Autoriteti Kontraktues (AK) konkretisht Ministria e Mbrojtjes (MeM) arrin të hyjë me herët se 6 muaj në kontratë të rregullt e cila aktualisht është në proces te ankimimit në OSHP, atëherë automatikisht kjo kontratë emergjente ndërpritet. 3.- AK konkretisht MeM, në bazë të Ligjit për Prokurimit Publik të Kosovës nr. 4/ L 042 dhe Ligji nr. 05/l -068 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-042, dhe bazuar në kërkesën për lejimin e përdorimit të procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, për këtë aktivitet të prokurimit ka zhvilluar procedurat e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, bazuar në nenin 35, pika 1 pika 2 dhe Neni 35.2.1(iii). 4.- Për këtë aktivitet të prokurimit nuk ka pasur ofertë tjetër për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti kontraktues, dhe për shkak të nevojave të domosdoshme që të kemi kontratë të vazhdueshme për furnizimin, përgatitjen dhe shërbimin me ushqim”, thuhet më tej në përgjigjen e këtij dikasteri.

Tutje, në përshkrimin e  kontratës thuhet:  

 Bazuar në rrethana e krijuar njësi kërkues FSK, ka bërë kërkesë për zhvillimin e procedurave të prokurimit emergjente II për ketë aktivitet të prokurimit për shkak të nevojave të domosdoshme qe të kemi kontratë në kontinuitet të vazhdueshëm pa ndërprerje për projektin “Furnizim, përgatitje dhe shërbim të ushqimit për nevoja urgjente të FSK-së dhe MFSK-së’’, sepse kontrata aktuale skadon me date 31.01.2019, dhe me qëllimin e vetëm dhe kryesor qe pjesëtarët e FSK-se dhe MFSKse të ushqehen me ushqim(mëngjes, drekë dhe darkë) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, sipas menysë së kontratës ekzistuese si dhe në përputhje me kushtet të njëjta të parapare në kontratën ekzistuese, me qellim qe pjesëtarët e FSK-se ti zhvillojnë normalisht të gjitha aktivitetet përputhje me detyrat ditore si dhe misionit kushtetues”./Indeksonline/