21:28 / E Diele, 11 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ushtria Amerikane nderon Ramush Haradinajn (Foto/Video)

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka vizituar edhe Ajovan.

Pas arritjes në Ajova, kryeministrit Haradinaj i është bërë një pritje madhështore nga gjenerali Timothy Orr dhe Garda Nacionale, shkruan Indeksonline.

Kështu, Haradinaj u dërgua me helikopter luftarak Black Hawk në bazën ushtarake të njësitit të helikopterëve.

Këtu ai edhe është njoftuar për së afërmi nga gjenerali amerikan për punën që bëhet në këtë bazë.

Sa i përket këtij takimi, Haradinaj ka thënë se është nder i posaçëm të jetë në mesin e ushtrisë më mike të popullit të Kosovës.

“Është nder i posaçëm të jesh në mesin e ushtrisë më mike të popullit të Kosovës, Ushtrisë Amerikane. Gjenerali Tymothy Orr dhe Garda Nacionale sot në Iowa më rezervuan një pritje madhështore në bazën ushtarake të njësitit të helikopterëve luftarakë “Black Hawk”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj po qëndron për vizitë në SHBA që disa ditë, ku edhe ka marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

Gjatë qëndrimit të tij atje, Haradinaj ka zhvilluar edhe disa takime tjera me zyrtarë të ndryshëm të SHBA-së, të cilët edhe janë miq të Kosovës.

Haradinaj pritet të kthehet në Kosovë në fillim të javës së ardhshme./Indeksonline/