13:00 / E Hënë, 04 Mars 2024 / S Z

Ushtria amerikane përgatitet për luftërat e ardhshme

Luftërat e viteve të fundit në Irak, Afganistan dhe Ukrainë e kanë shtyrë ushtrinë amerikane të mendojë për një përgatitje më të madhe për luftërat e ardhshme. Ajo ka nisur një ristrukturim. Ushtria ka paraparë reduktim të forcës në poste që nuk i nevojiten më dhe shtim të ushtarëve aktivë

Ushtria amerikane është duke e reduktuar madhësinë e forcës së saj për rreth 24,000 poste ose pothuajse 5%, dhe duke u ristrukturuar për të qenë më e gatshme për një luftë të madhe të radhës.

Shkurtimet do të jenë kryesisht në postet tashmë të zbrazëta – jo ushtarët aktualë – duke përfshirë punët që lidhen me kundër-kryengritjet që u rritën gjatë luftërave në Irak dhe Afganistan, por që nuk nevojiten aq shumë sot.

Në të njëjtën kohë, plani parasheh shtimin e rreth 7,500 trupave në misione të tjera kritike, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe njësi anti-dron, dhe pesë taskforca të reja rreth botës me aftësi të përmirësuara kibernetike, inteligjente dhe goditje me rreze të gjatë.

Sekretarja e ushtrisë, Christine Wormuth ka thënë se është punuar për të rregulluar vendet bosh dhe ato të tepërta.

“Ne duam të jemi të vendosur për operacione luftarake në shkallë të gjerë. Kështu që ne shikuam se ku kishte pjesë të strukturës së forcës që ndoshta ishin më të lidhura me kundër-kryengritjen, për shembull, që nuk na duhen më. Gjërat që ne duam të mos i kemi në formacionin tonë janë në fakt gjëra që ne mendojmë se nuk do të na bëjnë të suksesshëm në fushën e betejës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se liderët e ushtrisë kanë bërë shumë analiza para se të zgjedhin se çka të ndryshojnë.

Sipas një dokumenti të ushtrisë, nuk ka ushtarë të mjaftueshëm për të mbushur njësitë ekzistuese.

Siç është e strukturuar aktualisht, numri i përgjithshëm i ushtarëve aktivë është rreth 445,000. Sipas planit të ri, qëllimi është sjellja e trupave të mjaftueshëm gjatë pesë vjetëve të ardhshëm për të arritur një nivel prej 470,000.

Rikonstruktimi i planifikuar vjen pas dy dekadash lufte në Irak dhe Afganistan që e detyruan ushtrinë të zgjerohej shpejt dhe në mënyrë dramatike, për të mbushur brigadat e dërguara në frontin e betejës.

Me kalimin e kohës, fokusi i ushtrisë është zhvendosur në konkurrencën e fuqive të mëdha si Kina dhe Rusia, dhe kërcënimet nga Irani dhe Koreja e Veriut. Dhe lufta në Ukrainë ka treguar nevojën për një theks më të madh në sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ristrukturimet përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm për ushtrinë për t’u përgatitur për operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër armiqve më të sofistikuar.