22:40 / E Shtunë, 20 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ushtria e Kosovës, ky është projektligji me ndryshime i votuar në Kuvend

Të enjten në seancën e Kuvendit është votuar pakoja ligjore e FSK-së e cila i hapë rrugë formimit të ushtrisë.

Në këtë pako ligjore janë të përfshira projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Tash kur kjo pako është votuar, Forcat e Sigurisë së Kosovës do të ndryshojnë emërtim në Forca të Armatosura të Kosovës.

Mirëpo, cili do të jetë misioni i kësaj force apo ushtrie? Sipas projektligjit të ndryshuar, Forcat e Armatosura do të jetë forca kombëtare e ushtarake e cila mbron sovranitetin, integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës, si dhe do të kontribuoj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal e global.

“ Të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës; të marrin pjesë në operacionet mbështetëse për reagim ndaj krizave dhe në mbështetje të paqes; ndihmojë popullsinë dhe autoritetet civile në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave tjera;  të kryej shkatërrimin e mjeteve shpërthyes”, thuhet tek përshkrimi i detyrave të  kësaj force, transmeton Indeksonline.

Në nënin 20 të këstij projektligji thuhet se  pjesëtarët e FAK-ut mund të dërgohen edhe jashtë vendit në përputhje me përgjegjësitë ndërkombëtare.

Sa i përket organizimit, Forcat e Armatosura përbëhen prej një komponentë aktive prej më sumë se pesëmijë pjesëtarë dhe nga një komponentë rezervë prej më së shumti tre mijë pjesëtarë.

Ndërsa, sa i përket armatimit, ato do të jenë të pajisura me armatim të karakterit mbrojtës, në pajtim me nevojat e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Sa i përket asaj se kush ka të drejtë të konkurrojë në rezervën e Forcave të Armatosura, sipas ligjit të gjithë shtetasit e Kosovës kanë të drejtë, kuptohen nëse plotësojnë kriteret.

Por, cilat janë detyrat dhe përgjegjësit e ushtarit rezervë! Sipas ligjit, pjesëtari i Rezervës së Forcave të Armatosura të Kosovës, gjatë kohës sa është në detyrë, bart të gjitha përgjegjësitë individuale sikurse pjesëtari aktiv i FAK, ashtu siç përcaktohet me Ligjin përkatës për shërbim në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Sa i përket pensioneve, ushtari i rregullt ka të drejtën në pension të rregullt, nëse koha tij e shërbimit si pjesëtar aktiv i FAK dhe ish FSK është së paku 20 vjet ose ka mbushur moshën 50 vjeç si nënoficer dhe 55 vjeç si oficer, transmeton Indeksonline.

Kurse, pjesëtari rezervë i FAK fiton të drejtën në pension të rregullt, nëse koha tij e shërbimit si pjesëtar rezervë i FAK dhe ish FSK është së paku 20 vjet ose ka mbushur moshën 65 vjeç. Ky pension i takon pjesëtari rezervë të FAK si shtesë e pensionit bazik.

Ndërsa, pjesëtari aktiv i FAK, i cili ka shërbyer në institucionet e sigurisë (ish-TMK, ish-FSK) e fiton të drejtën në pension të rregullt të FAK me Vendim të Ministrit të Mbrojtjes të bazuar në kriteret e akteve të brendshme të shërbimit në FAK, si dhe në pajtim me mundësitë vjetore financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës ose me arritjen e moshës pesëdhjetë (50) vjeçare si nënoficer dhe pesëdhjetë e pesë (55) vjeçare si oficer. Shuma e pensionit të rregullt llogaritet mbi pagën bazë të pjesëtarit në momentin e pensionimit.

Ministria e FSK-së me projektligjin e ri do të quhet Ministria e Mbrojtjes. Ndonëse me emërtim ndryshe, kjo ministri ka misionin e njëjtë që është hartimi dhe zbatimi i politikave të përgjithshme shtetërore ne nivelin strategjik të mbrojtjes së vendit, si dhe ushtron funksionet e kompetencat në përputhje me Kushtetutën, Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë e Mbrojtjes, si dhe legjislacionin në fuqi.

Ministria e Mbrojtjes është Ministri e Integruar ne kuadër të së cilës bëjnë pjesë personeli politik, ushtarak dhe civil. /Indeksonline/

 

Temat: