22:44 / E Hënë, 05 Mars 2018 / indeksADMonline

Ushtria me ndryshime kushtetuese, Ministria e FSK-së nuk jep afat për formimin e saj

Rrallë herë ka ndodhur që deputetët e partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës të arrijnë një konsensus për një çështje. Kjo së fundmi ndodhi në prillin e vitit 2017, kur presidenti Hashim Thaçi ia dërgoi kryeparlamentarit Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, pa ndryshime kushtetuese. Atëherë, deputetët ishin gati që ta kalonin këtë projektligj dhe Kosova të bëhej me Ushtri. Por, pas diskutimeve të njëpasnjëshme me ndërkombëtarët, Thaçi u bë pishman dhe e tërhoqi projektligjin.

Sot, presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesit e popullit në Kuvend po kërkojnë themelimin e Ushtrisë brenda vitit 2018. Kjo çështje kërkon të përfundohet sipas ndryshimeve kushtetuese, kërkesë kjo e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së.

Zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së, Burim Ramadani në një prononcim lidhur me këtë çështje, ka thënë për Indeksonline se ky proces kërkon veprime të koordinuara. Megjithatë, ai është shprehur optimist se procesi është në rrugë të mbarë, por nuk ka dhënë afat se kur mund të formohet FAK-u.

“Procesi është Kushtetues në tërësinë e vet. Ndryshimet Kushtetuese dhe ndryshimet Ligjore janë pjesë e vazhdueshme e përpjekjeve tona. Prandaj, kërkon edhe mbështetjen e komuniteteve jo-shumicë. Në rastin e komunitetit shumicë, përkatësisht partive shqiptare në Kosovë, nuk ka ndonjë proces tjetër që ka marrë konsensus deri në unifikim më të madh sesa transformimi i FSK-së në FAK. Në bindjen time, rrugë të shkurtër për transformim nuk po kërkohet. Nuk ka rrugë të shkurtër për Forcat e Armatosura. Por, ka proces të koordinuar mirë, gjithëpërfshirës, të argumentuar dhe të saktë në secilin detaj, veprim dhe vendim”, ka thënë ai.

Ramadani, tranformimin e FSK-së e ka quajtur proces të pakthyeshëm dhe ka thënë se është gjithmonë temë diskutimi në tavolinat e takimeve.

“Institucionet e Kosovës dhe partnerët mbështetës të Kosovës e kanë bërë të qartë vazhdimisht se transformimi i FSK-së në FAK është një përpjekje të përbashkët, edhe në planifikim, edhe në vendimmarrje, dhe më pas edhe në konsolidim. Transformimi është proces i pakthyeshëm. Është proces i sigurt dhe momenti i vendimmarrjes politike është çështje do të jetë moment i suksesit të përbashkët. Transformimi është një prej temave kryesore vazhdimisht në të gjitha angazhimet institucionale, në të gjitha nivelet vendimmarrëse. Sigurisht se Kosova ka edhe tema tjera tejet të rëndësishme për shtetin dhe për qytetarët në tërësi, por kjo nuk e zëvendëson asnjëherë kursin e veprimit të Kosovës në konsolidimin e Arkitekturës së Sigurisë Nacionale”, është shprehur ai për Indeksonline.

Ai ka thënë se krijimi i FAK-ut kërkon dimension të koordinuar mirë, sepse suksesi i këtij procesi do të jetë i plotë kur planifikimet, vendimet e veprimet janë të koordinuara.

Kujtojmë se për t`i votuar çështjet madhore të Kosovës, Lista Serbe kusht të vazhdueshëm e ka formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Lidhur me Ushtrinë e Kosovës, deputetë serbë janë shprehur se nuk do e votojnë atë. /Indeksonline/R.Rexhepaj/