18:43 / E Shtunë, 07 Dhjetor 2019

Vajza me sindromën Down në Ferizaj, jep pagën e saj për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Ela, asistentja e stomatologut ferizajas me sindromën Down, dhuroi pagën e saj për të prekurit nga tërmeti

Stomatologu nga Ferizaj, Burim Buzhala, ka punësuar Eloidën, një vajzë me sindromën Down. Iniciativa e tij është ndjekur dhe nga qytete të tjera në Kosovë dhe rajon.

Buzhala tregon se si kishte kontaktuar fillimisht me prindërit e Elës për idenë e tij, gjë që thotë t’u ketë pëlqyer atyre dhe psikologut të saj.

Ndërkaq, ky shembull ishte ndjekur edhe në rajon.

“Efekti qe shumë i mirë. Pas një jave më kanë telefonuar këshilltarë të kryeministrit të Maqedonisë që kishin punësuar një në Bibliotekën e Kryeministrisë, pastaj disa kafene radhazi në Prishtinë, dy farmaci në Prizren”, shprehet doktori, raporton “ABCNews”.

Eloida ka dëshmuar se ka shpirt human. Pas tërmetit në Shqipëri, ajo i ka propozuar doktorit që të japë gjysmën e pagës për familjet e të prekurve.

“Ela ishte shumë e mërzitur dhe tha dua ta dhuroj gjysmën e pagës mujore që merr tek ne. Unë i thashë nëse ti jep gjysmën, unë jap 10 paga për ty. Ndërsa, më tha, çka nëse unë e jam pagën e plotë? Unë i thash se do t’i jap 20 paga, dhe kështu edhe mbeti”, shprehet stomatologu Buzhala.

Ndërsa vetë Ela tha: “Unë kam pasur dëshirë të jap pagën time për Shqipërinë”.