08:41 / E Diele, 01 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vajza nga Mirdita tregon se cilit politikan iu drejtua me fjalimin e saj në Kuvend

Kur mori vendimin për t’u kthyer në Shqipëri, ajo kishte një diplomë të “La Sapienza-s” në duar. Rigerta Loku Tushaj nuk e kishte menduar se vendlindja do ta sfidonte me një të ardhme si fermere. 35- vjeçarja nga Rubiku u kthye nga Italia shtatë vjet më parë, pasi studioi shkenca politike në universitetin prestigjoz të “La Sapienza-s” në Romë dhe u specializua për marrëdhënie ndërkombëtare. “Besoja se nuk do e kisha të vështirë të gjeja një punë, veçanërisht në Rubik, kur të gjithë synonin të vinin në Tiranë,” kujton Rigerta.

Dje, ajo e sfidoi vërtetë politikën. “Unë nuk e dija se do ishte ky impakti. Por, ju garantoj që nuk kam thënë asnjë gjë tjetër përveçse të vërtetës”, thotë vajza nga Rubiku për Shekullin. Rigerta iu tha të gjithëve se është nga fshati, prej nga në sirtar ka dy diploma të Universitetit të La Sapienzës dhe mbi supe mban një fermë dhish prej 350 krerësh. Rigerta dje shkundi Kuvendin, gjatë seancës së Parlamentit rural, i cili u organizua me në qendër fermerët. Nga foltorja ku prej kohësh deputetët kanë bërë debate dhe kanë hedhur hipoteza, fermerja 35 vjeçare iu kujtoi “mallkimin” e shqiptarëve për mungesën e ujit dhe rrugëve, harresën e fshatit dhe premtimin e pa mbajtur të Rilindjes.

E kontaktuar nga Shekulli, Rigerta thotë se tani, pas fjalimit ndjehet më mirë. “Ishte diçka që duhej shprehur dhe ku ka më mirë se sa foltorja e parlamentit për të shprehur atë çka vërtetë janë fshatarët dhe problemet e fshatit. Unë nuk kisha përgatitur qoftë edhe një fjalë për veten time. Unë thashë që jam Rigerta dhe vij nga fshati, por më thanë që duhet të thuash eksperiencën nga je dhe si je. Por, unë e ritheksoj që isha aty më shumë për Kristinën, për atë gruan që banon atje, që nuk ka mundësi të dalë në Tiranë, që rrit fëmijët, që gatuan bukën dhe unë doja të sillja zërin e atyre, problemet e vërteta të fshatit. Unë vetë jetoj në mes Rubikut, Rrushkull e ka emrin fshati dhe jemi aty prej disa vitesh”, tregon Rigerta.

Ajo dha shumë emocione. Prej jetës së vërtetë të njerëzve në fshat, Rigerta iu kujtoi të gjithëve se vëmendja duhet kthyer nga zhvillimi rural. Prej foltores Rigerta thotë se në Kuvend iu drejtua Ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi dhe Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, “Iu drejtova Ministrit të Bujqësisë dhe Kryetarit të Parlamentit. Ata kisha përballë, afër. Ata që folën më parë, përmendën politika agrare etj, por le të themi më shkoqur se çfarë do fshati.

Fshati do rrugë, do ujë, fshati do njerëz. Aty janë ata për ta zgjidhur, ta zgjidhin, unë jam atje në fshat|, thotë Rigerta, teksa me guximin që e karakterizon nuk heq dorë nga ideja për rimëkëmbjen e vendit. Ajo nuk i lë fatet në dorë të politikanëve e pushtetarëve, por ka besimin se populli mund të bëjë shumë më shumë se sa ata. “Mendoj se mund ta bëjmë ne më shumë se ata. Unë punoj në të voglën time, ai tjetri në të tijën, të bëhen bashkë dhe ti kërkojnë llogari atyre që duhet ta bëjnë këtë vend vërtetë. Pushtetit. Ai është për ti kërkuar llogari. Unë atje nga fshati, që mund të rri me dhitë atje, nuk jam mendjemadhe, por as nuk i shoh ata më të lartë se ai bariu që kam atje me dhi. Ata duhet të punojnë për qytetin, ashtu edhe për fshatin. Janë punëtorët tanë. Pavarësisht që janë emocionet, që janë pushtetarë. Ju garantoj që nuk kam thënë asnjë gjë tjetër përveçse të vërtetës”, e rithekson Rigerta.

Fjalimi i plotë në Kuvend

Unë kam mbaruar studimet e larta në Romë, në një nga universitetet më të mira në Itali, “La Sapienza”. Kam mbaruar master shkencor për marrëdhënie ndërkombëtare me rezultate shumë të mira. E kthyer në Shqipëri në provincën time u gjenda duke administruar një tufë dhish prej 350 krerësh.

Në fillim kur shkova në Itali ideja ishte që të vija këtu e të merrem me kafshën politike, por fati dhe provinca më krijoi mundësitë që unë të merrem me kafshën zoologjike. Pas 7 vitesh eksperiencë, sakrifica familjare e personale unë e im shoq nuk jemi penduar, qoftë dhe për një minutë të vetëm që jemi fshatarë, blegtorë dhe që kemi bërë këtë gjë të vogël në Mirditën e madhe. Kam shumë emocioni, ndjej mbi zemër dhe shpatulla peshën që kjo foltore të lëshon mbi shpinë. Por unë do të iki prapë atje në provincën time.

Do të iki, dhe pesha e përgjegjësia do të bjerë mbi këta të nderuar deputetë. Urojmë dhe shpresojmë për të mirën e fshatit. Për të mirën e qytetit, të Shqipërisë europiane që këta deputetë që rrinë të ulur këtu të na nderojnë, ne dhe veten e tyre. Fshati ka nevojë të rilindë, rimëkëmbet, rianimohet. Le ta quajmë si të doni, fshati ka nevojë për kapital njerëzor, ti shembim rrugët e braktisjes dhe të ndërtojmë rrugët e rikthimit. Në fshat gjithashtu mbijetojnë esencat e mrekullueshme të një jetë të vështirë. Zhvillimi ekonomik dhe social i njëtrajtshëm është thelbësor për vendin tonë.

Mbështetje dhe forcim i atyre mikroekonomive rurale që modestisht prodhojnë punësim. Fragmetizim të organizuar duam ne. Inovacion dhe informacion, pasi informacioni është bazë e zhvillimit të mëtejshëm. Duhet informacioni të vijë atje tek stalla, jo unë të vij në parlament për të marrë informacion. Le të vishemi bukur sa të duam, të prodhojmë këpucë, biçikleta, industri, makina avionë, sa të duam ne, por pa fshat të zhvilluar nuk ka qytete të zhvilluara. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk zhvilloheni kurrë! Zhvillimi i vjen Shqipërisë nga periferia!

Atje nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo nga Tirana juaj zhvillohet Mirdita ime! Se çfarë është bërë deri sot për fshatin po e shohim përditë. Se çfarë do të bëhet do ta shohim në vijim. Unë jam aty! Nuk shkoj asgjëkundi! Pres! Por në mënyrë aktive. Nuk qëndroj, punoj! E kush ka në rajon e në Europë kultura e tradita më të bukura për ne ti mbështesim e promovojmë, jo me fjalë por me vepra. Agrikultura, Agroturizmi janë pika të forta të zonave rurale që kërkojnë bashkëpunim për t’i mbështetur e promovuar. Diçka ka nisur të lindë! Infokulla ka nisur të rritet dhe atje tek unë, por duhet ta ndihmojnë në çdo hap. Turizmi si vlerë lokale e rajonale për të promovuar Shqipërinë rurale si thesar i fshehur që duhet zbuluar, bashkëpunim e durim për të promovuar cilësitë, traditat, historinë, ushqimin e fshatit. Tradita e përzier me zhvillim e inovacion do të ishte për ne një përzierje jetësore. Ta mbështesin fermerin e ri që me shumë vështirësi e sakrifica çon përpara fermën. Ta mbështesin fshatarin që ndoshta nuk ka mundur të braktisë fshatin e tij, ose ndoshta nuk ka dashur ta braktisë atë vend, ato fshatra ku varfëria dhe mrekullia jetojnë në mënyrën më fantastike të mundshme. Ejani ta shikoni! Ejani në fshat! Se nuk ka vend ku hahet më mirë se në fshatrat tanë. Në doni bukë, kripë e zemër të mirë ejani në fshat! Në doni qetësi e dashni ejani në fshat! Do ju lutesha të mos vini me një makinë të vogël, por të vijë me një fuoristradë, sepse fshatrat, sidomos ato që nuk janë në akset rrugorë kryesorë, nuk shkon dot makina. Nuk shkon dot makina. E atje ku nuk shkon makina nuk shkon asgjë. Nuk shkon as jeta! Fshatrat, sidomos ata të strukturit nuk kanë rrugë, rrugë si arterie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe keni dhënë zhvillim!

Nuk kërkojmë asgjë tjetër: Ujë dhe rrugë! Unë kam ardhur këtu që të tregoj pse jo Gertën, por kam ardhur të sjell edhe Kristinën. Kristina është një bashkëfshatare e imja. Besoj se gjithësecili prej jush, sidomos ata që janë fshatarë e ka nga një Kristinë në fshat. Ajo ka rrudha fisnike të përzhitura nda dielli, duar të çara e të ashpra si brusketat e restoranteve në qendrat urbane, sy të qeshur e të ëmbël ka Kristina. Ngrihet para diellit dhe ulet shumë pas tij. Ngrihet në mëngjes, mjel lopën, çel pulat, pastron vathin, çon fëmijët në shkollë ndoshta me furgonin që nuk vjen kurrë dhe ajo i përcjell në këmbë. Shet qumështin me kokakolat e lara me kujdes, sepse ky është fshati. Shet ato 20 kokrra vezë, 3- 4 kile rrush, domatë jeshile, ato që kanë mbetur nga kopështi i mbjellë me lakra të zëza dhe presh që ti ketë rezervë për dimër. Shet ashtu Kristina, e ulur në rrugë. Dhe po ti thoni Kristinës çfarë do ti që shteti të të japë ty, ajo me shumë modesti do të thotë: Unë dua ujë dhe rrugë. Se ka dinjitet Kristina. Nuk kërkon asgjë shtetit të saj veçse ujë dhe rrugë. E unë do ti shtoja Kristinës dhe ujë, rrugë, shkolla Ujë, rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore efikase. Ujë, rrugë, shkolla, qendra shëndetësore, e miq e shok. E nëse ju do ta pyesni Kristinën se për kë do të votoje? Kristina do të thotë unë votoj atë që më sjell ujë dhe rrugën. Por Kristina e shkretë që kur ishte bijë, themi ne atje në fshatin e të atit dhe tani që është grua në fshatin e të shoqit,

Kristina votoi e rivotoi ata që rrugën nuk ia sollën KURRE! Kjo është Kristina ime! Kjo është fshatarja ime! Edhe nëse ju do të pyesni ku është burri i Kristinës ai ka punuar për ca kohë në kantieret e RILINDJES URBANE, po ne presim që FSHATI TE RILINDE Atë presim ne! Kur fshatari ti kthehet fshatit të tij atëherë, politika ka bërë diçka madhështore për fshatin. Nuk është një proces i lehtë dhe i shpejtë por dhe ne nuk shkojmë asgjëkundi. Duke ndihmuar fshatin dhe Shqipërinë. Ka plot vështirësi fshati e Shqipëria por kush thotë se ky vend nuk bëhet KURRË e vret fshatin dhe Shqipërinë!

Na vret ne njëmijë herë! Ky vend do të bëhet se i ka të gjitha mundësitë për tu bërë. Dhe ne jemi këtu. Ky vend ka nevojë për punëtorë që kanë pak llafe e shumë punë. Të fortë e optimistë se kush mbjell e mbarështon siç bëjmë ne në fshat e ka forcën e optimizmin në çdo punë të tij. Askush nuk mbjell nëse nuk e di se çfarë do të korrë dhe askush nuk rrit e mbarështon nëse nuk e di se do të rrisë kecat e vegjël. Duke u bazuar në eksperiencën time modeste para jush ju them që fshati nuk ka as politikë, nuk njeh parti, nuk ka opozitë, as pozitë. Ne atje në fshat punojmë me dorën e djathtë e këmbën e djathtë, por zemra na rreh majtas, trurin e kemi në qendër e nëse duam të bëjmë mirë atë që duam të bëjmë, E nëse ky parlament do të bëjë mirë atë për të cilin është zgjedhur të bëjë duhet që secili prej organeve të bëjë funksionin që i përket.

Fjalimi i Gertës

Zusi: Leksion shumë i rëndë, në fshat gjendja më e keqe

Si një nga pjesëtarët e qeverisë së kaluar në detyrën e numrit dy të ministrisë së Bujqësisë, Alban Zusi i quan të drejta shqetësimet e ngritura nga Rigerta Loku dhe thotë se gjendja është më e keqe se sa katër vite më parë.

“Fjalimi i asaj ishte një leksion shumë i rëndë për të gjithë klasën politike shqiptare dhe veçanërisht për këdo që ka marrë përsipër dhe mendon se duhet të japi një zgjidhje për gjendjen në fshatin shqiptar. Po ta shohësh, situata është shumë më e keqe se sa ishte para tre apo katër vitesh, veçanërisht sektori i blegtorisë.

Sa i përket fondeve të akorduara nga qeveria për bujqësinë, Zusi tha se ato janë shpërndarë në mënyrë abuzive dhe se për këtë cështje duhet të nisë një hetim. “Fondet e qeverisë për mua duhen të hetohen. Janë shpërndarë në mënyrën më abuzive të mundshme. E para, fondet nuk janë vënë për nxitje zhvillimi por për të ashtuquajtura për ulje kostosh, që do të thotë janë dhënë pa asnjë lloj motivacioni.

Problemi sipas Zusit nuk është tek Programet e bujqësisë, pasi strategji ka, por ato nuk zbatohen.

Sa i përket programit afatgjatë për bujqësinë, Zusi tha se studime për të cilat janë paguar miliona euro janë bërë plot, por këto programe nuk janë zbatuar asnjëherë. Përgjegjësinë për këtë dështim me fshtin sipas Zusit, e mbajmë të gjithë, porn ë radhë të parë ministria e linjës dhe qeveria.

“Ne atë presim! Unë, ne kërkojmë bashkëpunim e mirëkuptim. Politika agrare specifike afatshkurtra dhe afatgjata. Ujë vaditës, dhe ujë pirës, kredi të buta, moderim të çmimit të punimit të tokës dhe farërave. Subvencione e mbështetje, por kërkojmë dhe informacion. Atje ku nuk shkon rruga informacioni e ka shumë të vështirë të shkojë. Kërkojmë mbështetje e thjeshtësi. Ja ku jemi. Çfarë duhet të bëjmë ne nga fshati? Çfarë duhet të bëjmë ne për të pasur politika rurale me një impakt real pozitiv? Çfarë na duhet të bëjmë ne që të jemi shembull i turizmit, kulturës rurale në rajon por dhe më gjerë? Çfarë duhet të bëjmë ne që të ndihmojmë vendin tonë biologjikisht dhe europian të bëhet politikisht europian? Ja ku jemi. Problemet i njohim të gjithë. Të gjejmë zgjidhjen së bashku me shumë modesti, dashuri për këtë tokë, për Shqipërinë rurale, për Shqipërinë urbane, Shqipërinë europiane ne fshatarët jemi në dispozicionin tuaj”, thotë Rigerta Loku në përfundim të letrës së saj.

Ferma

Fjalimi

Rigerta u kujdes që ti këshillonte pushtetarët edhe për makinën me të cilën do të udhëtonin drejt Prosek-ut, aty ku të duhet një foristradë. ”Fshatrat, e sidomos ato që nuk janë në akset rrugore, nuk shkon dot makina. Atje ku nuk shkon makina nuk shkon as jeta. Fshatrat, sidomos ata të nuk kanë rrugë, janë si artierie gjaku që ushqejnë dhe japin jetë”.

Çfarë kërkoi 35-vjeçarja?

Zhvillim ekonomik dhe social i një trajtshëm
Mbështetje e mikroekonomike rurale; Fragmentizim të organizuar; Invonacion dhe informacion. Fjalimi i saj u mbajt në kuvend, në kuadër të Parlamentit Rural, një organizim i fermerëve, organizatave jo fitimprurëse, agjencive shtetërore për bujqësinë si dhe Universiteti Bujqësor. Diskutimet ishin për politikat në ndihmë të zonave rurale.

Ferma e Rigerta Lokut dhe Leonard Tushës gjendet në fshatin Prosek, mes gjelbërimit dhe maleve të Mirditës. Fshati shtrihet 6.5 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, por rruga mund të përshkohet vetëm me një automjet të lartë 4×4 në një urdhëtim të vështirë që të merr më shumë se 40 minuta. Mungesa e rrugës, e energjisë dhe e ujit kanë sjellë largime masive në fshatin që dikur numëronte 1500 banorë. Shumica e shtëpive janë të braktisura, ndërsa të zotët nuk kanë mundur t’i shesin as për 100 mijë lekë. Në Prosek, Rigerta Loku dhe bashkëshorti i saj ndërtuar fillimisht një kasolle në pronat e babait në vitin 2010 dhe blenë disa dhi rrace. Vendimi i tyre i habiti jo pak banorët e zonës, të cilët nuk ua kursyen të tallurat dhe paragjykimet./Shekulli