16:04 / E Hënë, 11 Janar 2021 / B H

Vaksina mRNA mund të shmangë Covid-19 sot dhe kancerin nesër

Walter Isaacson, ish-redaktor i “Time”, autor librash mbi modifikimin gjenetik dhe një nga vullnetarët e parë të vaksinës së Pfizer, ka sqaruar se si funksionojnë vaksinat e reja dhe avantazhet që kanë ato ndaj vaksinave tradicionale.

“Deri vitin e kaluar, vaksinat nuk kishin ndryshuar shumë nga njëra-tjetra për më shumë se dy shekuj, të paktën në koncept. Vaksinat bazoheshin në idenë e ekspozimit të pacientit ndaj një virusi të rrezikshëm, për të përgatitur sistemin imunitar të personit.

Kështu, trupi prodhon antitrupa që, ndoshta për vite me radhë, lufton infeksionin. Pandemia e vitit 2020 do të mbahet mend si koha kur vaksinat tradicionale u zëvendësuan me vaksinat gjenetike. Këto janë vaksina që fusin një gjen ose një pjesë kodi gjenetik në qelizat njerëzore. Instruksionet gjenetike bëjnë që qelizat të prodhojnë vetë përbërës të virusit, në mënyrë që të stimulojnë sistemin imunitar të pacientit. Molekula që doli fitimtare në garën e prodhimit të vaksinës kundër Covid-19 është ARN-ja (Acidi ribonukleik)”, shkruan Isaacson.

Ai tregon se si nisi përgatitja për vaksinën kundër koronavirusit të ri: “BioNTech u themelua në vitin 2008, nga bashkëshortët Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të cilët u njohën kur po studionin mjekësi në Gjermani, në vitet ’90.

Ata kishin për qëllim që të krijonin terapi që stimulonin sistemin imunitar që të luftonte qelizat kancerogjene.

Mënyra më e mirë për të luftuar kancerin është që të trajtohet secili tumor si gjenetikisht unik dhe të stërvitet sistemi imunitar i pacientëve individualë kundër atij armiku specifik. Një punë perfekte për ARNi.

Në janar 2020, Sahin lexoi një artikull në “Lancet” mbi  koronavirusin në Kinë dhe  kuptoi që ky virus nuk ishte  si MERS dhe SARS.

BioNTech nisi menjëherë një projekt për vaksinën e bazuar në sekuencat ARN dhe telefonoi Pfizer për të bashkëpunuar në luftën kundër Covid-19. Në atë kohë, një vaksinë e ngjashme po krijohej edhe nga Moderna, një kompani shumë më e vogël.

Isaacson shpjegoi edhe avantazhet e vaksinave: “Një vaksinë mARN ka disa avantazhe ndaj një vaksine ADN, e cila duhet të përdorë një virus të rikrijuar. Vaksina mARN nuk ka pse të futet në bërthamën e qelizës, por kryen punën e saj në pjesën e jashtme të qelizës, në citoplazmë, aty ku ndërtohen proteinat. Në nëntor, vaksinat e Pfizer dhe Moderna treguan mbi 90% efektivitet.

Disa javë më vonë, morën autorizimin e duhur nga FDA-ja amerikane. Lajmi i mirë nuk është vetëm se tashmë kemi armë për të luftuar pandeminë që na ka pushtuar, por fakti se mARN-ja mund të përdoret në të ardhmen për të luftuar kancerin, duke u koduar në atë mënyrë që të prodhojë molekula që bëjnë sistemin imunitar të aftë që të identifikojë dhe vrasë qelizat kancerogjene”.

Gjatë historisë së njerëzimit, kemi qenë shënjestër e shumë virozave dhe baktereve. Për shembull, murtaja e shekullit XIV vrau rreth 200 milionë njerëz. Covid-19, që vrau 1,8 milionë njerëz në vitin 2020, nuk do të jetë pandemia e fundit me të cilën do të përballemi. Por, falë teknologjisë së ARN-së, mbrojtja jonë do të jetë më efikase