14:16 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / Blerim

Vaksina mund të mbërrijë në Shqipëri në janar

Vaksina kundër Covidit-19 është në qendër të vëmendjes së institucioneve shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare. Në një intervistë për Report Tv, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetësisë Publike, Eugena Tomini, u shpreh: “Shpresojmë që në javët e para të janarit të jemi ndër vendet e para për të aplikuar vaksinën”.

“Pavarësisht mbrojtjes, vaksina do të jetë shpëtuese. Firmat farmaceutike janë në garë se kush po prodhon e para vaksinën. Vaksina nuk është në pjesët e parandalimit të koronavirusit, por ajo do na mbrojë në nivele të larta” , tha ajo.

Në vijim Tomini shtoi:

“Shqipëria, njësoj si vendet e tjera, që është anëtarësuar brenda rrjetit të Covax-it [dhe] ka pjesën e saj në dritaren e parë të programuar. Vendet që janë në zhvillim e sipër janë prioritare kundrejt vendeve që janë të zhvilluara. Shqipëria është pjesë e këtij rrjeti dhe shpresojmë që sa më herët të sjellim vaksinën. Shpresojmë që në javët e para të janarit të jemi ndër vendet e para për të aplikuar vaksinës. Meqë vendet e tjera e kanë programuar marrjen e vaksinës përpara Krishtlindjeve, ne shpresojmë për javët e para të janarit.”

Covax-i është programi i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për shpërndarjen e vaksinave. Në një komunikim për mediat, më 24 nëntor, kryeministri Rama foli ndër të tjera për vaksinën që do të marrë vendi ynë duke u ndalur edhe te çmimi i saj.

“E lirë apo e shtrenjtë, kjo është një tjetër temë. Nuk i kemi lënë gjë mangët popullit kur ka qenë puna për gjëra që lidhen me elementët më të rëndësishëm për jetën. Nuk do ta lëmë mangët këtë detyrim, pavarësisht çmimit. Nuk do të thotë se do të marrim vetëm një lloj. Mund të marrim nga të gjitha llojet nëse do të kemi mundësi, siç po bëjnë të tjerët. Asnjë vend, mesa unë po shoh, nuk po fokusohet vetëm te një.”