23:25 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / OSH

Vaksinat anti-Covid në Kosovë do të shpërndahen përmes UNICEF-it

Ende nuk dihet se kur Kosova do të furnizohet me vaksinat anti-Covid. Zyrtarët shëndetësor në vend, kanë premtuar se këto vaksina do të jenë në Kosovë javën e tretë të muajit shkurt.

Por që një gjë e tillë të ndodhë ka pak gjasa.

Sipas zyrtarëve të MSH-së dozat e para të vaksinës do të dorëzohen përmes UNICEF-it.

“Kjo vaksinë për vendet përfituese, ku bën pjesë edhe Kosova, është siguruar nga mekanizmi COVAX do të marrim informata nga COVAX në lidhje me hapat e ardhëm dhe kornizën kohore të alokimit të vaksinës” deklarojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

E Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përgatitur Planin e imunizimit kundër COVID-19 në detaje, përfshirë edhe  planin e shpërndarjes, ka trajnuar personelin që merren me vaksinim, ka përforcuar kapacitetet e Zinxhirit të ftohtë të ruajtjes dhe ka ne dispozicion ekipet e vaksinimit dhe logjistiken përcjellëse për krejt këtë proces.

Të parët do të vaksinohen personeli shëndetësor; të moshuarit mbi 80 vjeç, personat e vendosur në shtëpitë e të moshuarve dhe punëtorët socialë si dhe personat me sëmundje kronike.

Por çka është vaksina e AstraZenecas, të cilën e pret Kosova?  

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.

Më herët, nga zyra e OBSH-së në Prishtinë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se dozat e para nga COVAX-i do të arrijnë në Kosovë në mesin e muajit shkurt apo në javën e tretë.

Cili është efikasiteti i vaksinës?

Vaksina e Oxford/AstraZeneca ka 63.9 për qind efikasitet kundër sëmundjes COVID-19, sipas analizave preliminare, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rekomanduar që kjo vaksinë të përdoret.

Kjo vaksinë administrohet me dy doza. OBSH-ja thotë se vaksina shfaq më shumë efikasitet kur intervali kohor nga doza e parë te doza e dytë është më i gjatë.

“Kjo, së bashku me gjetjen e niveleve më të larta të antitrupave kur rritet intervali në mes të administrimit të dy dozave, mbështet përfundimin se intervalet më të gjata ndërmjet dozave brenda intervalit 4-12 javë shoqërohen me efikasitet më të madh të vaksinës. Për shkak të këtyre gjetjeve, sa i përket efikasitetit të dy dozave dhe rritjes së imunogjentetit kur doza e parë dhe doza e dytë kanë interval më të gjatë kohor, OBSH-ja rekomandon që dozat të merren ndërmjet intervalit 8-12 javë”, thotë OBSH-ja.

Vaksina e Universitetit të Oxford-it dhe kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca rekomandohet të merret nga mosha 18 vjeçe dhe sipër.

Sa i përket mundësisë që kjo vaksinë të përzihet me vaksina të tjera, pra një person të mund të marrë një dozë të AstraZenecas dhe dozën tjetër të ndonjë vaksine tjetër të zbuluar, OBSH-ja rekomandon që të mos bëhet një gjë e tillë dhe personat të marrin dy dozat e vaksinës nga i njëjti prodhues.