22:02 / E Martë, 26 Mars 2019 / indeksADMonline

Vaksinat në shkollën fillore në Sllatinë krijojnë panik te nxënëset, dërgohen në QKUK

Shtatë nxënëse të shkollës fillore ‘Bajram Curri’ në Sllatinë janë dërguar në emergjencën e QKUK-së pasi janë vaksinuar nga mjekët e Qendrës së Shëndetësisë Familjarë në Fushë Kosovë.

Nxënëset e klasës së gjashtë pas vaksinimit iu janë shfaqur simptoma si marramendje, vjellje e madje kanë mbetë pandjenja.

Një nga prindërit  e nxënësve që kanë përjetuar këto çrregullime shëndetësore pas marrjes se vaksinave për Indeksonline në kushte anonimiteti ka thënë se vajza e tyre ka qenë në gjendje të rendë deri në orët e vona sot.

“Unë vet jam prind që i ka ndodh vajzës time. Pas marrjes së vaksinave nga mjekët e Qendrës së Shëndetësisë Familjare në Fushë Kosovë, nxënësit kanë pasur çrregullime me shëndetin shkaku i pikave të pa kontrolluara nga mjekët dhe kanë përfunduar në emergjencë. Gjendja e tyre ka qenë e rëndë deri në orët e vona. Derisa, dy prej këtyre nxënësve kanë mbetur në Infektivë”, ka thënë ajo.

Mirëpo, sipas Drejtorit Komunal të Arsimit në Fushë Kosovë, Islam Shabani,  nga informacionet prej mjekëve të QKUK-së kjo ka ndodhur për shkak të panikës.

Kjo pasi një nga nxënëset ka pasur reaksion alergjik, ndërsa të tjerat thuhet se kanë përjetuar panik.

Ai ka theksuar se kjo ka ndodhur në vetëm një klasë prej të gjithave që janë vaksinuar.

 “Rasti ka ndodh sot pas vaksinimit në një klasë të gjashtë. Edhe pse në klasë të tjera që e kanë marrë nuk ka ndodh, në vetëm në një klasë ka ndodh kjo dhe të gjitha janë vajza, janë shtatë. Sipas doktorit, njëra vajzë ka pësuar reaksion alergjik, mandej, si duket të tjerat kanë marrë panik nga ajo dhe është përhapur në atë mënyre që kanë kërkuar ndihmë emergjente. Doktori dhe pediatri kanë shkuar në spital kanë fole, kanë marrë informacione. Dhe si duket, kjo që ka ndodh është për shkak të panikës”, ka thënë ai.

Shabani ka thënë se gjendja nuk është serioze, por që dy vajza janë duke u trajtuar akoma në spital për shkak të disa problemeve pasuese.

 “Dy vajza, ajo që ka pësuar reaksion alergjik dhe tjera shoqe, kanë pasur probleme pasuese, prandaj kanë mbetur akoma në spital. Ndërsa, të tjerat janë lëshuar. Në asnjë klasë tjetër nuk ka ndodhur. Mjekët po thonë se për shkak të njërës, tjerat kanë përjetuar panikë. Nuk është serioze, në konsultim me mjekët e emergjencës kanë ardhur në konsultim që më shumë ka qenë panik”, ka thënë Shabani.

Ndërsa, Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani për Indeksonline ka konfirmuar rastin duke thënë se dy fëmijë janë ndalur në klinikë, por që gjendja e tyre tani është e mirë.

“Mund të ju njoftoj se dy raste, dy fëmijë janë ndalë në observim në klinikë në orët e mesditës dhe se ekipi kujdestar me informoi se gjendja e tyre është e mirë. Për më shumë të dhëna mund të ju njoftojmë ditët në vijim”, ka thënë Ramadani./Indeksonline/