11:15 / E Enjte, 15 Tetor 2020 / indeksADMonline

Vala e dytë pandemike që po përjetojmë tani, vrau shumicën e 50 milionë njerëzve një shekull më parë

Ka kaluar plot një shekull kur botën e përfshiu një pandemi e frikshme. Ishte viti 1920 kur globi më në fund u çlirua nga gripi spanjoll.

Por u desh të kalojnë shumë muaj të vështirë. Nisi më 1918 dhe zgjati 2 vjet.

Pati 3 valë, infektoi 500 milionë persona, vrau 50 milionë njerëz, prej të cilëve pjesën dërmuese gjatë valës së dytë, si pasojë edhe e mosrespektimit masiv të rregullave pas hapjes së parë.

Në fotogaleri ju shihni momente të fiksuara gjatë atyre dy viteve të tmerrshme ku bota vuajti infeksionin vrasës që i merrte jetën një personi në 10 të infektuar.

Në atë periudhë bota kishte rreth 1.8 miliardë njerëz. Më shumë se një e katërta u infektuar me simptoma gripi spanjoll. Ndërsa raportet publike flasi  për 50 milionë njerëz të vdekur, disa studime çmojnë se pandemia 1918-1920 mori më shumë se 100 milionë jetë njerëzish.

Gripi spanjoll ishte më i rrezikshëm për fëmijët dhe të rinjtë.

Sot, jemi në kushtet kur bota është afro 8 miliardë njerëz. Deri tani rreth 40 milionë njerëz rezultojnë të infektuar, pjesa më e madhe me simptoma të Covid-19.

Prej tyre më shumë se një milionë vetë kanë humbur jetën. Pjesa më e madhe ishin në moshë të thyer.

Nga sot, maska është e detyrueshme kudo jashtë shtëpisë në Shqipëri. Kjo masë do të zbatohet deri në muajin shkurt 2021.

Qëllimi është që të ulet deri në 60 për qind numri i të infektuarve me Covid-19. Jo vetëm kaq, synohet edhe reduktimi po aq i të infektuarve me viruse gripi dhe viroza të stinës së ftohtë.

Por sa mund të zbatohet mbajtja e maskës kudo jashtë shtëpisë?

Mjeku Genc Sulçebe

Genc Sulçebe, imunolog thotë se shumica e njerëzve në rrugë nuk e mbajnë maskën dhe e sheh të vështirë implementimin e nismës së qeverisë nga nesër.

“Në rrugë 90% e njerëzve nuk e mban maskën. Nuk e di se si do të vendoset direkt ditën e nesërme mbajtja maskave me detyrim.

Kjo është një masë që kërkon ndërgjegjësim, pasi rrezikojnë veten dhe të tjerët.

Unë e shoh shumë të vështirë ndërgjegjësimin e kësaj mase”, pohon mjeku Sulçebe.

Sakaq sot pasdite pritet të zhvillohet në qendër të Tiranës një miting proteste kundër vendimit që e bën maskën të detyrueshme.