18:15 / E Shtunë, 07 Gusht 2021 / OSH

Vala më e keqe e nxehtësisë në 30 vjet: Situata me zjarret në Greqi

Greqia po përballet me valën më të keqe të nxehtësisë në 30 vjet, me temperatura deri në 45 gradë Celcius.

Një zjarrfikës vullnetar ndërroi jetë teksa po punonte për të shuar zjarrin që kërcënonte parkun më të rëndësishëm kombëtar të Athinës, Mount Parnitha, dhe të paktën 20 persona të tjerë janë lënduar.

Mijëra banorë dhe pushues janë larguar nga toka ose deti. Zjarret që nuk mund të kontrolloheshin dogjën shtëpi, ferma dhe biznese në Greqi, ndërsa tragetet kanë evakuuar 1,153 persona nga ishulli Evia.

Banorët u përpoqën të krijojnë rrugë të reja për flakët me ndihmën e traktorëve dhe pajisjeve të tjera, pasi zjarret dogjën pyjet me pisha dhe u zhvendosën drejt bregdetit. Janë raportuar më shumë se 150 zjarre; në periferinë veriore të Athinës njerëzit u nxitën të evakuohen.

Shefi i mbrojtjes civile, Nikos Hardalias, duke folur gjatë një konference të së premtes në mbrëmje, tha se zjarrfikësit u përballën me “kushte jashtëzakonisht të rrezikshme, të pashembullta”, ndërsa luftonin 154 zjarre këtë javë, me 64 që ende vazhdonin natën.

Zjarret janë një dukuri e zakonshme në Greqi dhe vende të tjera në Mesdhe, si në Turqi, po ashtu edhe në vendin tonë, mirëpo zyrtarët e BE-së kanë shprehur shqetësim për krizën klimatike që e përkeqëson problemin.

Italia e jugut, Spanja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë  nga zjarret këtë sezon të nxehtë. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i përshkroi zjarret në Turqi si më të këqijtë në historinë e vendit.