12:43 / E Diele, 11 Prill 2021 / OSH

VARGU POLIEDRIK I HEROIT AGIM RAMADANI – KATANA

Opinion: Bahri Gashi

VARGU POLIEDRIK I HEROIT                                                            

AGIM RAMADANI – KATANA

(“Hija ekzistenciale” midis kufijve ende të papërfunduar, “Letra e pakryer”,  “Gjumi yt”,  ardhjes përtej “gjumit filozofik” si parandejnë kohore, “Ëndërra e këputur”  në “Krizë vlerash”, të kapluar në këtë fatkeqësi kolektive, mbi fragmentarizimin e çuditshëm patriotik në dy dekada liri)

Si duhet njohur esencën flijuese të lartësimit të heroit Agim Ramadani; Ç’mësim duhet nxjerr nga “Vetëdija tejkohore” si parandjenjë e flijimit – triniteti, i prirë nga inteligjenca dhe intuita, arti e burrëria, gjenialiteti e trimëria – trajtesa epistemilogjike e profesionalizmit të vargut luftarak nga kufiri në kufi?!

Sot në 11 prillin  virtual -2021, të “Ditëve e Shqipës”, ku në altarin e lirisë, në 11 prillin real të vitit 1999  “ngritët” për të mos vdekur kurr heroi ynë kombëtar Agim Ramadani “KATANA”, të cilin e rikujtojmë edhe sot dy dekata më pas me pijetet të lartë flijimin sublim të Agimit në PËRJETËSI.

Që kur u bëm të lirë dy dekada më parë dhe një dekadë e tre vjet shtet i pavaruar, në çdo përvjetor të “DITËVE TË SHQIPES” kemi përkujtuar sakrificën e tyre për liri, ndërsa këtë vit pa aktivitete të ngjeshura përkujtuese, vetëm me homazhe të kufizuara, e të mirremi më shumë me kujtime [online] përmes shkrimeve.

Në këtë realitet të ri, pas dy dekadash, a thua vallë ç’mësim kemi nxjerrur dhe po nxjerrim nga qindra vizita pran varreve të tyre e mijëra akademi të mbajtuara brenda dhe jashë Kosovës nga shembujt e heronjëve tonë në këto dy dekada liri, apo pran varreve të tyre po jemi vetëm kalimtar rasti.

Ajo që shohim sot, nuk ishte ideali i tyre. Sot jemi stërkequr dhe sikur kemi humb orientimin që kishim dikur për vlerat e përbashkëta dhe sakrificat që përjetuam, sikur harruam, apo nuk i kuptuam drejt heronjtë tonë.

Në 22 vjetorin e Epopesë së Koshares, të gjithë shprehim mendime, rreth personalitetit shumë dimensional dhe veprës sublime të heroit kombëtar Agim Ramadani – KATANA. Duke e ndjerë peshën e madhe të kësaj figure, mbetët e pamundur që vetëm me anë të një shkrimi, të shpalosim tërërsinë dhe madhështinë e përmasave të heroit Agim Ramadani.

Pa asnjë mëdyshje, sot thurrim vargje për njeriun e ringjalljës së përbotshme, duke i kujtuar dhe kuptuar  përmasat tri dimensioanle; të “njeriut të zakonshëm drejt mbinjerëzores”, të “ndritshmen artistike”, dhe të “bujshmën kombëtare”; siq shprehet autori Shefqet Riza lidhur me “Vetëdijën tejkohore”, citoj: “Vetëdijen e lartë intelektuale krahas parandjenjës së vdekjës”.

Heroin tonë, Agim Ramdanin e gjejmë të gravuar së skalituari unik, prej tij në “vargun postulat lirik ”

“Mu shtershin sytë nëse pushoj, Lirinë tënde me andrrue, Mallkue qoftë gjaku im, Nëse më vrasin pa luftue”.  “Parandjenjë e çuditshme”, që tregon se e kishte të programuar flijimin”. Krahas betimit të tij: “… mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”, ishte edhe shkrimi me titull: “Letra e pakryer”, letër kjo e Agim Ramadanit, e gjetur brenda aq shumë shkrimeve të lëna prej tij.

 “I prirë nga inteligjenca dhe intuita, arti e burrëria, gjenialiteti e trimëria” Agim Ramadani, ky emër poliedrik, tashmë ka marrë të gjitha atributet dhe është bërë pjesë e pandashme e lartësisë historike-moderne të Kosovës, si ikonë e krenarisë sonë kombëtare.

AGIMI mbetët i një rëndësie të veqant edhe nga përshkrimi i detajuar i “artikulimit unik” të rrugës së lirisë dhe fazave të përgaditjes për luftë, operacioneve paraprirëse dhe intenzitetit të lartë të përgatitjeve për fillimin e operacionit luftarak të Koshares në shkallë të gjerë, paraprirë me periudha kohore, pashkëputur të fillimvitit 1998 të luftës në Gjocaj e Jasiq, në rajonin e Rekës së Keqe të Rrafshit të Dukagjinit.

Figura e tij na paraqitet shumë e ndritshme dhe e pakrahasueshme midis ndjesisë reale, artistike të qindra letrave të shkruara në vend të prologut, drejt vargut apostolik të heroit në Altar.

Ai në mënyrë brilante e superiore na paraqitet duke u bërë më i veqanti në mesin e  bashkëluftëtarëve në realizimin e amanetit në rrugën e lirisë.

Heroi – Agim Ramadani në vijim na dhuron “ëndrrën e këputur” nga djalëria e re, mosha e re ushtarake, jeta artistike, nga bota e familjës së tij nën parandjenjën e fuqisë së këputur të dashurisë e deri te fotografitë emblematike të lufës për liri.  “Agimi në botën e poezisë” na shpaqet përtej poetëve të zakonshëm, Ai rënditët me poetët elitarë të përmasave botërore për të vazhduar pa u ndalur së skalituri në pikturë dhe vargje të poezisë, rrjedhimisht gjithçka që e rrethonte pran vetës së medituari, larg familjës së pa shijuar dhe lirisë së mohuar. 

Mjeshtrinë e poezisë së AGIMIT, me plotë të drejtë e përkufizon edhe autori Ismail Syla në punimin e tij: “Hija ekzistenciale dhe gjumi filozofik” me titull: “Patjetër do të vij”. Është poezi, kjo për nënën, për shqetësimin e saj dhe për vetëveten. Citoj; “Nëse nuk do të shihem/ Dhe na ndanë vdekja/ Jetoje jetën Nënë/ Patejtër do të vij/ Gjumi yt/ Do të bëhem”. Shfaqja e shpirtit të artistit, i ngritur në gjendje të përhershme parandjenje; Poezi vërtet lirike, e ngrohtë, vigjilente dhe qetësuese:

Ajo që e bënë të veçantë është vargu i fundit, që na sugjeron një “gjendje qetësimi” që del përtej natyrës fiziologjike të njeriut.

“Gjumi yt” nuk është gjumë biologjik, shprehet autori, është gjumë filozofik, është tërë dëlirësia njerëzore, shpirti i përpunuar njerëzor i poetit, i piktorit, i njeriut, i luftëtarit, ushtarkut, që si natyrë e thellë dhe e lartë e shpirtit njerëzor shëndërrohet në diçka jomateriale, shumë sublime me cilësi të larta shëruese, paralajmruese dhe vetmohuese.

 (Dedikim të përgjumurëve në kohë kritike):

Heroi ynë Agim Ramadani është një pasqyrim real i përmasave unike dhe origjinale, të përplotësimit të natyrshëm të jetës rinore e fyrmëzimit poetik, të pjekurisë artistike dhe të burrërisë patriotike të figurës poliedrike së heroit kombëtar Agim Ramadani “KATANA”.

Andaj me të drejtë vlerësojmë mendimin se “Gjaku i njerëzve të mëdhjenjë është krenari e dhembjës krenare, është kënga më madhështore e shpirtit njerëzorë. Është Universalja e madhështisë”. Pra, AGIMI është përpjekje deri në flijim, e jashtëzakonshme  dhe e papërsëritshme e personalitetit intelektual të tij shumëdimensional, përmasave unike të njeriut vizionar, aspektin e mjeshtërisë së artit modern, aspektin e shpirtit luftarak e ushtarak, atë taktiko – operativ poashtu edhe atë strategjik e ndërveprues, por pa harruar dhe lënë anash për asnjë moment gjenialitetin edhe pendën e tij të artë.

Pra, si një figurë emblematike e ideimit dhe zbatimit të planit luftarak të heqjës me luftë të kufirt shqiptaro – shqiptar, ku Lufta e Kosharës dhe betejat e saj arritën të ngërthejnë mirëfillazi efektet e para serioze për përballje ushtarake intenzive, të karakterit luftarak, taktiko- teknik e strategjik, përthyrjeve politike të kohës dhe atë historik të shqiptarëve, me ç’rast nga Kosharja paralajmëruam çlirimin përfundimtar.

Tanimë, Heroi ynë i skalituar në Altar, u bë mishërimi ynë dhe betimi se “Aty ku kishte rënë gjaku i Agim Ramadanit, Sali Cekut, Xhemajl Fetahut, Ali Hasit, Abaz Thaqit…., këmbë e shkaut të mos shkelë më”.

Për rëndësinë tri dimensionale të figurës së heroit tonë Agim Ramadani, para së gjithash, ndihemi krenarë, që si bashkëluftëtar, patëm rastin ta njohim paraprakisht dhe ta rinjohim nëpër flakët betejës në Rrasë të Koshares, andaj përkundër asaj që u tha, personalisht vazhdoj të ndihem shumë i vogël për ta përshkruar, karrshi veprës së madhe të  heroit Agim Ramadani dhe tërësinë e luftës së Kosharës në përgjithësi edhe përkundër faktit të autorësisë sime serike dhe trajtimin kontekstual të kësaj tematike për dy dekada.

Të mos e harrojmë kurr se, nëse duam që amaneti i heronjve tonë të shkoj në vend, duhet kuptuar:

Në thellësinë e përjetësisë tënde, pran varrit tënd Agim para dy ditësh të hodhën shumë buqeta lulesh. Njerëz të mbledhur po kryenin ritualin e përvitshëm të përkujtimit, disa ishin vetëm kalimtarë e disa e ndjenin thellë peshën tënde. Të soditur nga madhështia po shikonin bjeshkët e bardha të prillit me rreze dielli, duke të të lavdëruar heroizmin tënd. Sikur gjaku yt i kufirit n’Koshare po ringjallej. Ata që dje ta morren jetën ty e mijëra dëshmorëve, martirëve, dhjetra masakrave civilësh dhe gjakatosën gjymtyrët tona, paturpshëm po parakalojnë me qindra paramilitarë, makineri ushtarake – provokuese në perimetrin e veriut të Kosovës, përtej Kufirit.

Përkunder përuljes, disa nga liderët po përballen me shpërfaqje hamendësie, të ç’akorduar dhe tepër harrestar ndaj gjakut tënd. Kosovës sot, gjithandej shqiptarëve, sikur po i ripërsëritet historia e kufijëve në Ballkan. Tokat tona po na t’kurren sa herë lapsi po e zëvendëson pushkën, e që në liri dhe demokraci, emancipisht sot, do të duhet të ishte e kundërta.

T’kurrja e kufijëve vazhdon të mbetet fenomen i trisht i historisë shqiptare, lëngatë e dështimeve të historiografisë faktike, politikës dhe diplomacisë midis fqinjëve ballkanik.

“Megjithatë, ekziston kufiri kur durimi pushon së qenuri virtyt”….thot teoricenti dhe politikologu anglez (Edmound Burke)

Fragmentarizimi i çuditshëm patriot, në fakt “kakofonia kaotike fisnore”, e njohur si “fenomen akut” i mendësisë ballkanike shqiptare, shprehimisht, i mentalitetit në mos unitet politik e nacional për Kosovën, ka shëndrruar zymtësi në prespektivë ndaj idealeve të nisura të lirisë.

Atëbotë kur istikamet e luftës mbuloheshin plot plagë gjaku e jetë të humbura, që ne sot të jemi të lirë, ndaj sot me vetëdije duhet të jemi të bashkuar – unik dhe të pathyeshëm kudo dhe kurdo që për ballë kemi Serbinë.

Duke pranuar faktin se sot kemi “Krizë vlerash”, në këtë fatkeqësi kolektive, NE nuk duhet  dekurajuar, por të vendosur, duhet luftuar për të vënë në piedestal tërësinë e vlerave kombëtare në lartësinë e merituar intelektuale e qytetare në barabarësi, ndryshe fati ynë dhe sidomos i brezit që po rritet dhe atyre po vijnë, dot jenë në rrezik të pariparueshëm.

Përgjithësisht, ka tendencë serioze armiqësore të nxitjes dhe përkeqësimit, se shqiptarët në Ballkan, çuditrisht elitat, nuk po tregohen të denjë për ta kuptuar kontekstin dhe aq më pak atë strategjik, të çështjeve specifike e sensitivie që ndërlidhen me të ardhmen dhe garancat e fuqizimit të brendshëm dhe rrugëtimit tonë euroatlantik.

Në këndvështrimin realist sot, mbi LIRINË dhe PAQEN “, në kontekstin tonë shoqëror të përjetimit të lirisë, si vlerë e përbashkët në të gjitha kuptimet, citoj:  “Paqja nuk mund të ekzistoj e as të ruhet kur disa janë të skllavëruar, e disa të lirë”, shprehet në një mendim racional, si kuptim sociopolitik, filozofi gjerman (Emanuel Kanti)

Në fund fare,

Agim, Heroi ynë, le të themi FALEMINDERIT për sakrificën tënde.

Le të themi FALEMINDERIT, për ëndrrën e këputur e për vargun tënd të lirisë, poezisë, dashurisë për familjen, kufirin, lirinë dhe kombin.

Le të themi FALEMINDERIT për gjakun në damarët e ngjizur rrëzë Ahut në Rrasë të Koshares, aty ku u nise drejt lartësisë në amshimin e pakthim drejt Paqes me Zotin.

Le të themi FALEMINDERIT për “Psalmet dhe Versetet” unike shqiptare që na i le si univers të udhërrëfimit për gjenerat që vijnë.

Sot ushtari Yt po ndjehet i soditur, i ngelur fat i kohës nga ideali Yt i kufirit, si realitet politik.

Krejt në fund,

Duke e rikujtuar sa herë, të mos e harojmë maksimën e popullit, citoj: “Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë nuk ka vdekje kurrë “, ndërsa “Kombi që i harron bijtë e tij të rënë në luftë nuk ka lindje kurrë”, ndryshe thënë, në kuptimin ekzistencial të substancës kombëtare, mund të pëfundojmë së ekzistuari si popull i lirë, i cili jeton në paqe, nëse gjaku dhe heronjtë nuk janë referenca kryesore.

114 Heronjve të Koshares!

LAVDI flijimit të TYRE për Liri!

I përjetshëm kujtimi!

Dr. Bahri Gashi,

Prishtinë, 11. Prill. 2021

(Ky opinion nuk përmban qëndrim të redaksisë)