19:00 / E Enjte, 20 Shkurt 2020

Vashat e Kosovës triumfojnë kundër Uellsit, arrijnë në finale

Vashat e përzgjedhura të Kombëtares e Kosovës së përbërë prej vashave U16, U19 e U23, nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi, kanë përmbyllur fazën e grupeve të turneut ndërkombëtar për femra “IL CALCIO E’ ROSA” me tri fitore.

Ato kanë mundur Bolzanon me rezultat 3:0, pastaj dërmuan Lazion C. R, 8:0 dhe në ndeshjen e tretë ngadhënjyen kudër Uellsit me 5:0 dhe porta e Dardaneve mbeti e paprekur.

Sikur në dy ndeshjet tjera edhe në këtë ndeshje futbollistet tona treguan cilësi, të kurorëzuar edhe me gola, duke zbatuar detyrat e vëna nga përzgjedhësi Munishi dhe shtabit teknik me disiplinë të lartë, korrektësi e  syçeltësi.

Në ndeshjen e sotme Dardanet  e nisën serinë e  golave në minutën e 20-të përmes Verona Berishës, ndërkaq në minutën e 23 Laureta Temaj ngriti epërsinë në 2:0.

Që pjesa e parë të përmbyllet me rezultat 3:0 u kujdes, Loreta Lulaj në minutën 38-të. Pjesa e dytë po ashtu nisi me mbizotërim nga ana e vashave të Kosovës, kështu dhe shënuan edhe dy gola.

Së pari në minutën e 72-të shënoi Njomëza Osmani për 4:0, ndërsa në 5:0 rezultatin e vulosi Fortesa Berisha në minutën e 78-të, e cila bashkë me Loreta Lulajn kanë shënuar në tri ndeshjet nga një gol.

Kombëtarja e Kosovës nesër prej orës 10.00 takohet në finale me Moldavinë.