23:33 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / indeksADMonline

‘Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, i lidhur ngushtë me Gjykatën Speciale’!

Qeveria e Kosovës i’a ka vazhduar punën EULEX-it, edhe për dy vite të tjera. Mandati i ri i tij do të jetë vetëm monitorues dhe këshilldhënës në rastet gjyqësore.

Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, thotë për RTV Dukagjinin se arsyeja e vazhdimit të punës së EULEX-it lidhet direkt me fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Arsyeja pse i është vazhduar mandati misionit të EULEX-it edhe për dy vite, është direkt e lidhur me fillimin e punës së Gjykatës Speciale”, shprehet Anton Nrecaj.

Sipas tij, mosefikasiteti i institucioneve vendëse të drejtësisë në arrestimin dhe gjykimin e personave të akuzuar për krime lufte, do të bëjë që EULEX-i të ketë detyrën e arrestimit të personave që mund t’iu ngriten akuzat.

“Është misioni i EULEX-it, i cili do ta merr përsipër këtë pjesën e ndalimeve, arrestimeve dhe gjithë kësaj faze paraprake, para se të fillojë gjykimi ndaj personave me aktakuza për krime lufte”, ka thënë Nrecaj.

Miftaraj: Eulex i sukseshëm, vetëm nëse do të ketë staf të ri

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se një mënyrë e mirë që vazhdimi i i mandatit të EULEX-it të jetë i sukseshëm është ndërrimi i stafit dhe sjellja e njerëzve të rinj.

“Ne mendojmë se e vetmja mënyrë që ky mision edhe këtë komponent ta kryente në mënyrë të paanshme është që të sjellë personel të ri që nuk ka qenë më parë në Kosovë. Ne dyshojmë që personeli aktual do të jenë mjaftueshëm të pavarur pasi janë të familjarizuar me politikanë dhe grupe të interesit në Kosovë”, ka thënë Ehat Miftaraj.