12:26 / E Premte, 03 Maj 2024 / S Z

Vazhdon beteja e Rozeta Hajdarit me punonjësin e ministrisë, merret vendimi i tretë, cilësohet arbitrar

Edhe pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), i kishte dhënë të drejtë ankesës së Ermal Kutllovcit zyrtar për cilësinë e naftës dhe produkteve të NAFTËS në MINT, duke e aprovuar dhe shfuqizuar masën e “largimit nga shërbimi civil”,  Komisioni i disiplinës i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka nxjerr një vendim të ri .

Kutllovcit sërish MINT i ka shqiptuar një masë diciplinore “ Largim nga shërbimi civil”, për shkak siç thuhet në vendim të shkeljeve të detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me Ligjin për zyrtarët publik.

Në vendimin e MINT it thuhet se Kutllovci ka përsëritur shkelje dhe me të rëndë disiplinore, pasi që i  është drejtuar me një shkresë  me shkrim kryeministrit Albin Kurti. E po ashtu ka zgjedhur të prononcohet për media si dhe rrjete sociale kundër MINT-it, si institucion punëdhënës i tij, me çrast ka dëmtuar rëndë institucionin, duke bërë publike informata të brendshme.

Por Kutllovci e quan skandaloz dhe arbitrar këtë vendim.

“Edhe pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), i dha të drejtë ankesës sime duke e aprovuar dhe shfuqizuar masën e “largimit nga shërbimi civil” Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka nxjerr vendim edhe më skandaloz e arbitrar sesa vendimi paraprak. Ky vendim më është dërguar në ditën e 15 në ora: 17:20.  Përpos arsyejeve të cekura në vendimin e parë e të cilat i ka anuluar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, çuditërisht ceken deklarimi im për Televizionin T7, reagimet e mia në rrjetin social Facebook dhe shkresa drejtuar vet Kryeministrit të Kosovës”, ka shkruar Kutllovci në Facebook.

Këto dy pika sipas tij  nuk e pasqyrojnë vetëm hakmarrjen tipike, por tendencën e hapur e të shpërfaqur për cënimin e lirisë së shprehjes e të cilën na i garanton akti më i lartë juridik i këtij Vendi, Kushtetuta e Respublikës së Kosovës.

“Deklarimet e mia janë bërë pas largimit tim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), gjithmonë në suaza të deklarimit krejtësisht profesional e në respektim të plotë të legjislacionit në fuqi. Mua mund të më largoni edhe 100 herë, por vullnetin e mirë për të drejtën e të vërtetën nuk e lëkundeni në asnjë mënyrë e në ansjë rrethanë”, ka shkruar Kutllovci.