23:00 / E Martë, 25 Shtator 2018

Vazhdon kompensimi i patundshmërive në Hade dhe Shipitullë

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte arritur një marrëveshje për shpronësimin e pronave të banorëve të Hades dhe Shipitullës. Pjesë e kësaj marrëveshje mes banorëve dhe Haradinajt ishte kompensimi i patundshmërive dhe punësimi i një anëtari të secilës familje.

Ndonëse premtimi për punësimin e një anëtari të familjes nuk është realizuar, kompensimi i patundshmërive është një proces që po ndodh.

Skënder Bucolli, nga zyra për informim në Korporatën Energjetike ka thënë për Indeksonline se tanimë janë arritur marrëveshjet me pronarët e ndikuar nga projekti (PNP).

“Procesi i zhvendosjes në zonën e parë e cila shtrihet në 52 hektarë dhe përfshinë gjithsejtë 255, Pronar të Ndikuar nga Projekti (PNP), në zonat kadastrale Hade dhe Shipitull KK-Obiliq, në zyrën noteriale n2 Obiliq kemi arritur marrëveshje për kompensim të patundshmërive me 254 (PNP)”, ka theksuar Bucolli.

Sipas tij, zyra ligjore- departamenti i pronës  për të gjitha patundshmëritë e kompensuara, në projektin e zhvendosjes 52 hektarësh përfshi  Shipitullën dhe Haden, KK-Obiliq, i ka ndërmarr veprimet  me kohë, duke kërkuar edhe nga Komuna e Obiliqit bartjen e patundshmërive në Aparatin Kadastral  në pronësi të KEK.sh.a.

Bucolli ka bërë të ditur se konform faturave për transaksion dhe bartje, KEK-u madje ka bërë pagesën e taksave administrative për bartje në Komunën e Obiliqit dhe certifikatat pronësore për zonën 52 hektar pritet ti marrin më së largu për 10 ditë.

“Duke u bazuar në sfidat që kemi hasur gjatë procesit të zhvendosjes në zonën e parë (52 hek), në zonën e dytë e cila shtrihet në 120 hektar, KEK ka filluar procesin më herët dhe aktualisht jemi në fazën e regjistrimit. Në këtë zonë përfshihen zonat kadastrale: Shipitullë, Hade, Sibovc, Vodic dhe Leshkoshiq,  KK-Obiliq dhe përfshinë gjithsejtë 278 – Pronar të Ndikuar nga Projekti (PNP). Në këtë zonë komisioni është duke vazhduar me punë, aktualisht jemi në fazën e regjistrimit dhe incizimit dhe deri më tani kemi përfunduar regjistrimin me 203 (PNP). Përfshi zhvendosje Fizike ( strukturat e banimit me objektet përcjellëse) si  dhe zhvendosje Ekonomike (përfshi  toka dhe  kultura tjera bujqësore në patundshmëri)”, ka përfunduar Bucolli.

Se procesi i zhvendosjes dhe i punësimit është në zhvillim e sipër e thonë edhe në zyrën për Informim të Komunës së Obiliqit. Në një përgjigje për Indeksonline, kjo komunë ka bërë të ditur se është duke u marr me projektin bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ne si komunë në Ministritë gjegjëse (këtu Infrastruktura dhe MMPH) jemi duke u marrë me projektin e “Hades së Re”, me përmbushje dhe respektim të marrëveshjes, planit të zhvendosjes dhe rregullimit të komplet projektit infrastrukturor. Ndërsa rasti i Shipitullës dhe 120 ha është në proces të incizimit, regjistrimit dhe marrëveshjes mes KEK – Ministrisë gjegjëse – qytetar dhe Komunë!”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Kujtojmë se banorët e Shipitullës dhe Hadës, menjëherë pas vendimit të Qeverisë për shpronësim, kishin filluar të punojnë tokat, të mbjellin qindra pemë si dhe të hapin bunarë të panevojshëm.

Ata e bënë këtë me qëllim që të rrisin vlerën e tokës së kompensuar pas shpronësimit. /Indeksonline/