16:59 / E Diele, 20 Shtator 2020 / indeksADMonline

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj 30 personave të arrestuar në rastin e Karaçevës

Është duke vazhduar seanca gjyqësore ndaj 30 persona të arrestuar në rastin e Karaçevës

Kjo është bërë e ditur për Indeksonline nga zëdhënësi i kësaj Gjykate, Sabit Shkodra.

Shkodra madje theksoi se ende nuk dihet edhe sa do të zgjasë seanca, për shkak se ende s’është marrë vendimi.

Seanca në fjalë ka filluar nga ora 12:00, por që pritet të vazhdojë ende.

Të premten në orët e vona të mbrëmjes Policia e Kosovës realizoi një aksion në fshatin Karaçevë, të komunës së Kamenicës ku u bë rrënimi i kazinove të cilat po funksionin ilegalisht tash e sa kohë në këtë anë.

Indeksonline ka ndjekur nga afër atë natë gjithë aksionin, ku edhe u arrestuan 30 persona.

Nga kryeprokurori  i Prokurorisë Themelore Gjilan, Jetish Maloku u bë e ditur se nga të arrestuarit, 12 ishin zyrtarë policorë të Kosovës.

Kurse nga ana e Policisë dhe Inspektoratit Policor u theksua se ishin bastisur gjithsej 12 lokacione në Karaçevë dhe në Prishtinë.

Aktivitetet të cilat po zhvilloheshin tash e sa kohë në atë anë ishin: Bixhoz, trafikim me qenie njerëzore, trafikim me armë, trafikimi me narkotikë, kontrabandim i mallrave etj.

Ky aksion u cilësua si një ndër aksionet më të mëdha të llojit të vetë në vend./Indeksonline/