14:56 / E Hënë, 13 Korrik 2020

Vazhdon seanca për rishikimin e buxhetit, deputetëve u kërkohet t’i zbatojnë masat anti Covid-19

Në vazhdimin e seancës plenare për shqyrtimin e rishikimit të buxhetit 2020, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga të gjithë deputetët që për gjatë seancës janë të obliguar që në mënyrë strikte të respektojnë masat anti Covid-19, me distancë fizike dhe përdorim të maskave gjatë tërë kohës.

“Të gjithë ata që kanë shfaqje të simptomave duhet të qëndrojnë në shtëpi të vet izolohen dhe jo të vijnë në seancë. Nëse keni qenë rast kontakti duhet të vet izoloheni për 14 ditë. Kush është me simptoma ju kisha lut të mos qëndroni në seancë, nëse ka deputet me simptoma”, theksoi Osmani.

Ndërsa, fillimisht në këtë seancë është formuar Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërkaq, deputetët tash janë duke vazhduar shqyrtimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit 2020.

Kujtojmë se të premten kishte nis shqyrtimi i këtij projektligji përgjatë tërë ditës, por në orët e vona ishte ndërprerë seanca pas incidentit në Kuvend.

Mos i humb