13:27 / E Hënë, 28 Tetor 2019 / indeksADMonline

Vazhdon të dëshmohet prania e llojeve të rralla të faunës, në parqet kombëtare

Në kuadër të aktiviteteve të rregullta për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit në zonat e mbrojtura të natyrës, zyrtarët e IKMN-në bashkëpunim me ata nga DAPK “Sharri” përmes kamerave kurth të vendosura kohë më parë në zonën e malit Oshlak, brenda territorit të parkut kombëtar “Sharri” kanë konstatuar praninë e disa llojeve të gjitarëve si: Ariu i murrmë (Ursus arctos), Kaprolli (Capreolus capreolus), Derri i egër (Sus scrofa), Ketri (Sciurus vulgaris).

“Është me rëndësi të përmendet fakti se këtë here vërehej qartë prania e të vegjlive të ariut të murrmë me çka mund të konstatohet se kjo zonë paraqet kushte te favorshme për shumimin dhe rritjen e të vegjlive jo vetëm të ariut por edhe llojeve tjera të hasura në kamerat kurth në këtë lokalitet.

Disa kamera të tilla janë vendosur tash e sa kohë në pjesë të ndryshme të parqeve kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, me të vetmin qëllim të monitorimit të gjendjes së faunës dhe pranisë së llojeve të ndryshme të shtazëve të egra.

Këto kamera deri tani kanë siguruar të dhëna të besueshme për praninë e llojeve të ndryshme të shtazëve të egra në këto zona të mbrojtur”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.