75 Mall Live Search
17:53 / E Mërkurë, 07 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vazhdon zvarritja në përfundimin e rrugës Veternik-Prishtinë, projektit ende nuk po i shihet fundi!

Zgjerimi i rrugës me katër korsi në lagjen Veternik të Prishtinës ka nisur në vitin 2017, por ende këtij projekti nuk po i shihet fundi.

Ndonëse ishte premtuar se ky projekt do të përfundoi shumë shpejt, duke se një gjë e tillë nuk do të ndodh.

Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka një datë se kur do të përfundoi ndërtimi i kësaj rruge, ani pse mos përfundimi i saj po shkakton edhe ngarkesë të madhe në komunikacion.

Skender Canolli nga Ministria e Infrastrukturës për “Indeksonline” ka thënë se nuk dihet kur do të përfundojnë punimet për shkak të vështirësive gjatë ekzekutimit, ani pse një pjesë e rrugës, pra LOT1 (pjesa Prishtinë-Veternik) është përfunduar.

“Sa i përket zgjerimit të rrugës Nacionale N2 Hyrja në qytetin e Prishtinës – Veternik LOT 1 (ana e majtë drejtimi Prishtinë-Veternik) kanë përfunduar të gjitha punimet dhe aty komunikacioni është duke u zhvilluar. Kurse LOT 2 (ana e djathtë drejtimi Prishtinë-Veternik) për shkak të gjendjes në terren ka vështirësi të mëdha gjatë ekzekutimit. Dinamika e zhvillimit të punimeve është më e ngadalshme. Si pasojë e kësaj për momentin është e vështirë të japim një datë të saktë për përfundimin e këtij LOT- i” ka thënë Canolli.

Sipas tij, qëllimi i Ministrisë që ai përfaqëson është që kjo rrugë të përfundoi mirë, ndonëse tha se tashmë janë në përfundim të sezonit ndërtimor për këtë vit.

Problemet në përfundimin e kësaj rruge i vuri në pah edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Në prononcimin e tij për “Indeksonline”, Ahmeti ka thënë se projekti është nisur me nguti nga Ministria para zgjedhjeve të fundit, duke bërë që tashmë të përballet me sanim të problemeve më shumë sesa përfundim të punimeve.

Ndonëse, i pari i Prishtinës ka theksuar se projekti është nis nga Ministria dhe ata vetëm i raportojnë komunës për problemet që i kanë.

“Meqenëse kemi të bëjmë me rrugë magjistrale duhet drejtuar te Ministria.  Ata neve na raportojnë mbi problemet qe i kane por projekti është nis me nguti nga ministria para zgjedhjeve te fundit dhe tash përballet me sanim te problemeve me shume se sa me përfundim te projektit” ka theksuar Ahmeti në përgjigjen e tij për “Indeksonline”.

Inagurimi i punimeve për këtë projekt ishte bërë në 18 prill të vitit 2017, ku parashihej që nga katër korsi kjo rrugë të bëhej me tetë korsi në dy drejtimet. Loti i parë, drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, sipas kontratës parashihej të përfundohej brenda 150 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,589,674.34 eurosh, ndërsa pjesa e dytë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi po ashtu prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh, parashihej të përfundohej brenda 110 ditësh pune./Indeksonline/