10:59 / E Premte, 31 Mars 2023 / S Z

Vdekja e parakohshme e regjisorit që akuzon politikën

Nën patronatin e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, i është dhënë lamtumira e fundit aktorit dhe regjisorit, Behar Zenelaj, i cili vdiq nga një atak i në zemër, në moshën 51-vjeçar. Me këtë rast është mbajtur një ceremoni komemorative, ku para të pranishmëve i lanë lexuar kumtesat e tyre shkrimtari i mirenjohur, Kadrush Radogoshi dhe aktori i njohur Nimon Muçaj.

Ne fjalën e tij, Kadrush Radogishi ka akuzuar politikën për këtë vdekje të parakohëshme të aktorit Behar Zenelaj.

Më poshtë mund të lexoni një pjesë të fjalimit të z. Radogoshi:

“Më 29 Mars 2023, vdiç nga infarkti si pasojë e mohimit të pashpallur të së drejtës për punë ish aktori i Teatrit profesionist të Gjakovës dhe regjisori i teatrit (me master të kryer) BEHAR ZENELAJ. Tërë periodën e pasluftës Behari u refuzua në të gjitha konkurset edhe pse ishte profesionalisht dhe intelektualisht më i kualifikuari. Arsyeja ishte e thjeshtë: Ai nuk i takonte asnjë klani politiko-kultural dhe nuk ishte servil dhe i paparime, prandaj nuk ishte i përshtatshëm për t’u përdorur si mashë e politikës joparimore në kulturë. Behari la pas vetes nënën plakë, gruan dhe tre fëmijë të mitur, më i madhi prej të cilëve Platori është vetëm 14 vjeçar. Regjisorit, Master Behar Zenelajt, në mënyrë të pashpallur, iu mor e drejta për të punuar, si e drejtë elementare e njeriut, e kjo vetvetiu nënkupton jo vetëm poshtërimin e përbuzjen, por edhe të drejtën për jetë. Prandaj, infarkti i tij është shkaktuar nga padrejtësia e bërë nga birokracia politiko-kulturore e Gjakovës.

Nuk di se si do të mburret Gjakova tani e tutje si djep i traditës dhe kulturës, kur i ha bijtë e saj më të mirë. Behari nuk ishte i pari intelektual gjakovar i margjinalizuar dhe i përbuzur, por dëshiroj të jetë i fundit.

Pikëllimi tronditës për humbjen e parakohëshme të mikut dhe bashkëpunëtorit tim është zë i protestës qytetare kundër praktikës së padrejtë të punësimit të ekspertëve në Teatrin profesionist të Gjakovës”.

Autor: Ilir Hajdari