12:05 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vdekjet e dyshuara në Infektive, prokuroria interviston disa persona

Janë bërë tri ditë prej kur u regjistruan gjashtë vdekje të dyshimta në Klinikën Infektive të personave të diagnostikuar me COVID-19.

Organet e rendit kanë nisur hetimet, lidhur me këto vdekje, ndërsa trupat e pajetë të personave të vdekur janë dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Deri tani nuk është publikuar asnjë rezultat i DML-së se si kanë ndodhur vdekjet derisa prokuroria ka nisur hetimet, lidhur me rastin.

IndeksOnline ka mësuar se Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka kryer disa intervista, lidhur me këtë rast dhe është duke punuar intensivisht për të sqaruar gjithçka që ka çuar në vdekjet e përnjëhershme.

IndeksOnline ka tentuar që të merrte një përgjigje zyrtare nga prokuroria, mirëpo zyrtarët e saj nuk janë përgjigjur në telefon edhe pas disa përpjekjeve të redaksisë.

Ndërsa dje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se gjatë kësaj jave do të marrë raportet e organeve përkatëse, të cilat po e hetojnë rastin për të parë se si kanë ndodhur ato vdekje./IndeksOnline/