08:44 / E Hënë, 21 Shtator 2020

Veliu deklarohet për aksionin në Karaçevë: Mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vazhdim

Ministri i Brendshëm, Agim Veliu është deklaruar sot në mbledhjen e Qeverisë lidhur me aksionin e së premte në Karaçevë.

Veliu tha se në drejtim të luftimit, parandalimit dhe që t’u pamundësohet vazhdimi i veprimtarisë kriminale që rrezikojnë rendin publik, sistemin e sigurisë u implemnentua plani operativ që u realizua në tri operacione të njëkohshme.

“Karaçevë zona e kazinove, disa fshatra të Kamenicës dhe në qytet, dhe në Prishtinë, Gjilan, Viti dhe Lipjan. Janë arrestuar 37 persona, ku 30 janë ndaluar me vendim të prokurorit për procedurë të mëtejme. Të 30 të ndaluarve iu është vazhduar masa e ndalimit për 30 ditë, në zonën e Karaçevës janë sekuestruar rreth 220 aparate, 6 shtëpiza kompjuterike, një armë me gaz, një karikator dhe një kombi me kafshë të kontrabanduara. Pas ekzaminimit dhe tërheqjes së provave materiale në këtë zonë janë rrënuar 13 objekte”, tha Veliu, shkruan Indeksonline.

Tutje Veliu deklaroi se në operacionin e realizuar në Prishtinë u ndaluan tre të dyshuar, ku gjatë kontrollit të shtëpive u gjetën, një set pokeri, 4 palë letra të bixhozit, një karikator i zbrazët.

“Poashtu dhe Gjilan, Viti janë kontrolluar 28 lokacione, ku morën pjesë njësitë policore, njësitë e rendit, inspektorati policor, zyrtarë të tjerë ligjorë. Hetimet vazhdojnë dhe mund të ketë vazhdim të aksionit edhe në ditët në vazhdim”, tha Veliu./Indeksonline/