14:05 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Veliu emërohet Koordinator kundër terrorizmit, Tahiri: S’është si koordinatorët e mëparshëm

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar ministrin Agim Veliu, Koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.

Më këtë vendim, ai do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në këtë detyrë, koordinatori do të këshillojë kryeministrin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin dhe do të koordinojë aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit, do të jetë përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tregoi punën që ka bërë dikasteri që ai udhëheq dhe nevojën për këtë koordinator.

“Duke u bazuar në nevojën për funksionalizim sa më të mirë të MPB-së dhe objektivave që dalin nga plani qeverisës, informoj që ne jemi në fazën fillestare të procesit të bashkimit të strategjive nacionale, e që janë përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Një ndër strategjitë e rëndësishme që është nën udhëheqjen e MPB-së është strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. Pas analizave të bëra nga ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Zyrën për planifikim strategjik në Zyrën e kryeministrit si dhe në bazë të rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe partnerëve strategjikë është filluar puna në procesin e bashkimit në mënyrë që të votohet më së largu deri në fundin e viti 2020, ashtu siç figuron në planin vjetor të dokumenteve strategjike 2020-2022”, tha ai.

E zëvendëskryeministri Besnik Tahiri dha sqarime se ky koordinator nuk është sikur në të kaluarën, por që tha se është një pozitë brenda Qeverisë për luftimin e ekstremizmit.

“Duhet të theksojmë një çështje që nuk u tha, mos të keqkuptohet nuk jemi duke folur për koordinatorë nacionalë, të cilët kanë qenë të themeluar në qeverinë e kaluar, por jemi duke folur për një pozitë brenda Qeverisë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për luftimin e ekstremizmit dhe të gjitha formave të tjera që lidhen me Qeverinë”, tha ai.