12:02 / E Hënë, 01 Tetor 2018 / indeksADMonline

Vëllai i Alketa Vejsiut arrestohet për prodhim dhe shitje të drogës

29- vjeçari, Endrit Vejsiu që u kap një ditë më parë më drogë dhe mina me telekomandë në makinë nuk rezulton person me precedentë penalë. Ai nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje të tjera dhe siç mësohet, është vëllai i prezantueses së njohur Alketa Vejsiu.

Vëllai i moderatores u kap gjatë operacionit “Telekomanda”, teksa po qarkullonte me një mjet tip “Opel” dhe gjatë kontrollit u konstatuan në gomën rezervë në bagazh katër mina me telekomandë dhe një sasi lënde narkotike.

Ai u arrestua menjëherë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.

Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka pasur informacion paraprak për veprimtarinë e të riut nga Tirana, i cili do të kryente transportin e minave me telekomandë, që dyshohet se do të përdoreshin nga porositësit për qëllime kriminale.

Prezantuesja Alketa Vejsiu, dhe vëllai i saj, Endrit Vejsiu

OPERACIONI

Të dhënat e këtij operacioni janë bërë publike në një dalje për mediat nga drejtori i Policisë Vendore, Ferdinand Mara. Drejtori Mara njoftoi se në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës kanë finalizuar operacionin e koduar “Telekomanda”.

“Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot-Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’, në një gomë rezervë në bagazh u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë. Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.

Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale ‘Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike’ dhe ‘Trafikim i lëndëve plasëse’”, theksoi në një deklaratë për mediat kreu i Policisë së Lezhës. /Lapsi.

Temat: