13:35 / E Premte, 14 Janar 2022 / A. M.

Vëllai i ish-banores së Big Brother VIP arrestohet nga policia shqiptare, falsifikonte dokumente

Vëllai i këngëtares së njohur shqiptare është arrestuar nga policia e Lezhës. Bëhet fjala për vëllain e Sheila Haxhiraj, i cili ka rënë në pranga bashkë me 3 persona të tjerë, gjatë operacionit të koduar “Identiteti”.

Sipas gazetës “Shqip”, policia ka arrestuar 34-vjeçarin Henri Haxhiraj, pasi akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

Raportohet se Henri Haxhiraj është vëllai i këngëtares dhe ish-banores së “Big Brother VIP” Sheila Haxhiraj.

34-vjeçari dhe 3 personat e tjerë, të arrestuar, akuzohen se janë pjesë e një rrjeti që shërbente për prodhimin e dokumenteve të të falsifikuara, mashtrimeve kompjuterike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Katër të arrestuarit kanë përfituar shuma të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro nga shtetas të huaj të cilët binin pre e mashtrimit të këtij grupi.

Gjatë operacionit u zbulua një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur.