14:40 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / MSH

Vëllaznimi merr masa ndaj basketbollistëve që “çkepen” grushta

Klubi Basketbollistik “Vëllaznimi” ka reaguar pas trazirave që një konflikt fizik shkaktoi në kampin gjakovar.

Dy basketbollistët e ekipit, Jon Ukaj dhe Burim Zekiqi, u përfshinë në një konflikt fizik që përfundoi me frakturë në hundën e njërit prej tyre.

Ndonëse nuk janë bërë të ditura rrethanat që kanë çuar deri në këtë përleshje, klubi gjakovar ka njoftuar se ka marrë masa ndaj lojtarëve në fjalë dhe se dënon rastin.

Ekipi thotë se fokus aktual ka vetëm ndeshjen e Superkupës, kundër Golden Eagle Yllit.

“KB Vëllaznimi siguron adhuruesit se klubi është i fokusuar vetëm në ndeshjen e radhës dhe shkon me motiv të lartë në Suharekë për duelin çerekfinal të Superkupës ndaj nikoqirit, KB Golden Eagle Ylli” thuhet mes të tjerash në njoftim.

Kjo është komunikata e plotë e klubit:

KB Vëllaznimi njofton tifozët “Kuqezinjët e Jakovës” dhe të gjithë adhuruesit e klubit se klubi i qytetit ka adresuar zhvillimet e fundit dhe konform rregullave të klubit ka marrë masa ndaj lojtarëve të përfshirë që kanë thyer kodin disiplinor dhe të sjelljes sportive.

KB Vëllaznimi dënon rastin në fjalë dhe është i vendosur të luftojë që rastet e tilla të shëmtuara të qëndrojnë larg nga sporti.

KB Vëllaznimi siguron adhuruesit se klubi është i fokusuar vetëm në ndeshjen e radhës dhe shkon me motiv të lartë në Suharekë për duelin çerekfinal të Superkupës ndaj nikoqirit, KB Golden Eagle Ylli.