15:28 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Vendi evropian po planifikon të zhvilloj ndeshjet me tifozë

Drejtuesit e futbollit në Danimarkë janë optimistë se deri në fund të këtij sezoni do të jenë në gjendje për të zhvilluar ndeshjet e kampionatit, me praninë e spektatorëve nëpër shkallët e stadiumeve.

Fillimisht Superliga Daneze do të rikuperojë takimin e prapambetur Aarhus – Randers dhe në vazhdim deri të martën në mbrëmje skuadrat e ligës elitare në vendin skandinav do të luajnë të gjitha ndeshjet e Javës së 25, që është edhe java e parafundit e sezonit të rregullt, përpara se ekipet të ndahen në dy grupe: 6 klubet në pjesën e sipërme të klasifikimit të përgjithshëm do të përballen ndërmjet tyre për të vendosur fatin e titullit, ndërsa 8 skuadrat e mbetura do të masin forcat mes tyre për të përcaktuar edhe ekipet që do të zbresin një kategori më poshtë.

Një gjë është e sigurt, tetë ndeshjet e para, që pas rifillimit të kampionatit do të zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa në vazhdim krerët e federatës kanë në projekt për të kthyer publikun në tribunat e stadiumeve.

Drejtuesit kanë planifikuar madje një rikthim të mundshëm të tifozëve, duke filluar që nga muaji korrik.

Danimarka e ka përballuar mirë situatën e pandemisë së virusit COVID-19 dhe vendi skandinav pozicionohet në vendin e 47 për nga numri i të prekurve me koronavirus, me 11.480 të infektuar gjithsej, prej të cilëve kanë humbur jetën 565 persona, gjithsesi në mënyrë të kuptueshme forca e këtij virusi tashmë ka rënë ndjeshëm dhe masat shtrënguese janë lehtësuar prej kohësh.

Qeveria e këtij vendi në veri të Kontinentit të Vjetër ka lejuar gjithashtu edhe grumbullimet masive, deri në 500 vetë, e nga një vendim i tillë sigurisht që kanë marrë zemër edhe drejtuesit e klubeve, që shpresojnë të rikthejnë nëpër shkallët e stadiumeve edhe tifozët e ndryshëm të ekipeve.

Është diskutuar edhe mundësia për të lejuar në këto impiante çerekun apo gjysmën e kapacitetit të plotë të spektatorëve, megjithëse për hir të së vërtetës duke patur parasysh turma të tilla që përbëjnë 25% apo 50% të kapacitetit të plotë të një stadiumi mbetet një detyrë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që fansat e shumtë të tregohen të përmbajtur dhe të ruajnë distancën, për t’u treguar treguar të kujdesshëm, në mënyrë që të mos festojnë një gol të shënuar pranë njëri – tjetrit. /IndeksOnline/