11:33 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vendim: Nënshkruhet vendimi me të cilin i kërkohet Kuvendit miratimi urgjent i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike

Zëvëndëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka nënshkruar sot vendimin me të cilin kërkohet nga Kuvendi i Kosovës, që në mënyrë urgjente, të përshpejtohen procedurat për miratimin e Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Tahiri ka thënë se ky vendim është urgjent me të cilin përmirësohen pasojat e shkaktuara në ekonominë e vendit.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nënshkrova vendimin me të cilin kërkova nga Kuvendi i Kosovës, që në mënyrë urgjente, të përshpejtohen procedurat për miratimin e Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19, në mënyrë që të mund t’i përmirësojmë pasojat e shkaktuara në ekonominë e vendit tonë.

Në këtë kohë, të gjitha vendet po ballafaqohen me pandeminë e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha duke marrë jetëra njerëzish, njëkohësisht ka penguar edhe lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave dhe ka dobësuar zhvillimin ekonomik. Prandaj, kësaj situate do t’i përgjigjemi me përkushtim dhe vullnet të plotë, në mënyrë që ne si institucione shtetërore të kryejmë detyrën tonë karshi nevojave të qytetarëve tanë.

Edhe në të ardhmen, Qeveria e Kosovës, do të përkujdeset për trajtimin e temave të cilat kanë të bëjnë me interesin qytetar, veçmas në situata kur duhet vepruar në mënyrë emergjente. Presim bashkëpunim nga Kuvendi dhe të gjitha partitë parlamentare”, shkruan Tahiri në njoftim./Indeksonline/