16:07 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Vendimet e marra sot nga Qeveria e Kosovës, ndahen 50 mijë euro për komunën e Bujanocit

Me një minutë heshtje, në nderim të policit të rënë në krye të detyrës, dje në Zhur të Komunës së Prizrenit, kabineti qeveritar ka filluar mbledhjen e 118-të.

Kabineti qeveritar gjithashtu ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 15 mijë euro për familjen e policit të vrarë dhe nga 10 mijë euro për policët e plagosur.

Me propozimin  e Ministrisë së Punëve të Jashtme, është aprovuar “Akti Global për të Drejtat e Njeriut Magnitsky”, i cili sanksionon të gjithë shkelësit e të drejtave të njeriut kudo në botë. Ky vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, e bënë Kosovën shtetin e parë në Evropën Juglindore që ka miratuar këtë akt, dhe e afron në partneritetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët ndërkombëtar në luftën për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare si shtesë e pensionit familjarë për zyrtarët policor të rënë në krye të detyrës sipas Ligjit të Policisë. Shuma prej 300 (treqind) eurove do të ndahet si shtesë e pensionit në bazë mujore, për familjarët e zyrtarëve të rënë në krye të detyrës, siç është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e rasteve të zyrtarëve policor të cilët vdesin në detyrë apo në kryerje të detyrës. Vendimi obligon Policinë e Kosovës që në bashkëpunim me Ministrinë  e Punëve të Brendshme  dhe Ministrinë e Financave të zbatojë atë.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për vazhdimin e mandatit edhe për një periudhë tre vjeçare për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj.

Në mbledhjen e sotme është bërë plotësimi i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave”, pas dorëheqjes së një anëtari në këtë bord.

Duke vendosur sipas kërkesës së Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, Qeveria ka ndarë 36,600 euro. Mjetet e ndara do të përdoren për shpenzimet elementare të Shoqatës dhe për përgatitjen e vëllimit të parë të “Leksikonit të të dënuarve politik shqiptarë të Kosovës në Jugosllavi 1945-1999”.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe kërkesën nga Komuna e Bujanocit që Qeveria e Kosovës të mbështes financiarisht realizimin e Projektit “Aftësimi profesional i të rinjve në këtë Komunë. Qeveria ka ndarë mjete në vlerë prej 50 mijë euro në mbështetje të Komunës së Bujanocit për realizim të këtij projekti që do të krijojë hapësirë dhe kushte për punësimin e të rinjve dhe parandalimin e migrimit të tyre.

Miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka marrë edhe Rregullorja për ndihmën De Minimis, që nënkupton ndihmat në vlerë të vogël që nuk konsiderohen ndihmë shtetërore dhe nuk janë subjekt i autorizimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Edhe Rregullorja për performancën e agjencive është miratuar në mbledhjen e sotme. Me këtë Rregullore përcaktohen rregullat e hollësishme dhe procedurat e mbikëqyrjes së agjencive ekzekutive dhe vlerësimit të performancës së tyre. Rregullorja do të jetë e zbatueshme nga të gjitha agjencitë ekzekutive dhe rregullatorë, si dhe të institucioneve shtetërore që mbikëqyrin performancën e agjencive ekzekutive.

Kabineti Qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Grupit punues për koordinimin e aktiviteteve promovuese, me theks të veçantë brendimin dhe sloganin shtetëror. Grupi punues do të merret me mundësitë e inicimit të procedurave të krijimit të identitetit- identifikues të njohjes për publikun vendor dhe ndërkombëtar, si parakusht për të nxjerr në pah avantazhet konkurruese dhe atë që dallon një shtet nga shtetet tjera. Grupi punues do të koordinoj punën ndërinstitucionale të përfaqësimit brenda dhe jashtë vendit për këtë qëllim.

Është aprovuar në parim edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Letonisë për transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave.

Ka marr miratimin  në mbledhjen e sotme edhe Koncept dokumenti për Protokollin e shtetit. Koncept dokumenti rekomandon ndarjen e Protokollit diplomatik nga Protokolli i shtetit. Protokolli diplomatik duhet të vazhdojë të mbetet strukturë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa Protokolli i shtetit të organizohet brenda Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për shpronësime për interes publik të pronës së paluajtshme, objektit të ish “Gjykatës Themelore në Prishtinë”, për nevojën e akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Me miratimin e tri vendimeve të veçanta, Qeveria e Kosovës ka aprovuar nismat e Ministrisë së Financave për negocimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit “Fondi i sfidave të Kosovës – Arsimi profesional dhe trajnimi”; negocimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Customs 2020” dhe negocimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiscalis 2020”.

Me propozimin e Ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal është aprovuar vendimi preliminar për fillimin e procedurave për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore në Komunën e Gjakovës dhe të cilat preken nga realizimi i projekteve të interesit publik./Indeksonline/