12:03 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

“Vendimet Haradinaj”, që avancuan pozicionin diplomatik të Kosovës

Muhamet Spahiu, ish-këshilltar i kryeministrit Haradinaj

18 vjet pas luftës Kosova ishte e lodhur nga negociatat e shumëfishta me Serbinë, me BE-në dhe me fqinjët e tjerë. Mungesa e përvojës që të negociojmë si shtet, e kishte zhytur Kosovën në pozicione të pafavorshme negociuse, veçanërisht me Serbinë. Gjatë kësaj periudhe, që nga paslufta, pozicionin e Kosovës e kishte transformuar nga viktimë që mbrohej nga fuqitë botërore, në një palë negociuese në pozitë disfavorizuese me Serbinë. Në secilin akt negociues Kosova kishte humbje substanciale të integritetit.

Që nga fillimi i mandatit qeverisës Haradinaj II, qëllimi kryesor i Kryeministrit ishte ndryshimi i këtij statuti dhe me sukses ndërmori veprime diplomatike që për opinionin shiheshin si ‘ad-hoc’, përderisa ishin veprime të strukturuara për të ndryshuar pozitën diplomatike dhe negociuese të Kosovës.

Taksa 100%, pezullimi i bisedimeve, refuzimi i temave të negociatave me BE-në, Ushtria e Kosovës dhe dhjetëra veprime të atëhershme ishin vetëm veprime për të arritur qëllimet jetike për shtetësinë dhe pozicionin diplomatik të Kosovës në botë. Këto vepra politike e kanë përjetësisht vulën “Haradinaj” për të ndryshuar rrjedhën diplomatike:

  1. NDRYSHIMI DHE AVANCIMI I POZICIONIT NEGOCIUES ME SERBINË – Negociatat e pandërprera dhe mungesa e eksperiencës diplomatike e kishin sjellë Kosovën në pozitë të disfaroshme negociuse si palë që veç jep dhe Serbinë në pozicion të favorshëm, si palë që vetëm merr e fiton në tavolinë. Me veprimet e Kryeministrit Haradinaj, si pezullimi i shumë temave nga tavolina e bisedimeve, shkëputjen e tregut të Kosovës nga Serbia, Taksa 100%, instalimi i rregullave në tregun e Kosovës, shkatërrimi i strukturave kriminale të Serbisë në veri të Kosovës, etj., bëri që pozitat negociuese të ndryshohen ku Kosova ishte së paku, në çdo rast, një hap para.
  2. NDALIMIN E DORËZIMIT TË SOVRANITETIT TË KOSOVËS NË SERBI GJATË NEGOCIATAVE TË ANTARËSIMIT ME BE – Në secilin hap të negociatave për liberalizim dhe anëtarësim në BE, Kosova përfundonte duke i dhënë diçka Serbisë. Kështu që dalëngadalë dhe në qetësi, Kosovës i bartej sovraniteti në Serbi, përderisa çdo vend që anëtarësohet në BE e bartë një pjesë të sovranitetit në organizatë. Ramush Haradinaj ia bëri të qartë Mogherinit që në negociata të anëtarësimit mund të dorëzojmë sovranitet në BE (si çdo shtet anëtar), por asgjë nuk do t’i jepet më Serbisë.

3.BARTJA E QËSHTJES “KOSOVA” NGA BE-ja NË USA – Statuti i palakmueshëm diplomatik mund të përmirësohej vetëm me përkrahjen e SHBA-ve, si garantuese e paqes, stabilitetit dhe rendit botëror, por që ajo është edhe aleatja më e rëndësishme e Kosovës. Përpjekjet dhe kërkesat e vazhdueshme diplomatike të Haradinaj për involvimin e SHBA-ve në negociata me Serbinë dhe shumë veprime si Ushtria e Kosovës, barrierat tregtare ndaj Serbisë, e kthyen SHBA sërish në aleate të Kosovës dhe e bënë sërish palë seriozisht të involvuar në çështjen Kosovë.

Sot, Kosova nënshkroi marrëveshje me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë pika kyqe në marrëveshje për t’i treguar botës që Kosova është vetëm Çështje Amerikane!

Në këtë pozitë e kanë sjellë 100% veprimet kyçe diplomatike të Kryeministrit Ramush Haradinaj.