75 Mall Live Search
14:07 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / mp

Vendimi për rrënimin e 12 shtëpive, Avokati i Popullit në Leshak të Leposaviqit për të folur me banorët

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka vizituar fshatin Leshak të Leposaviqit dhe është pritur në takim nga banorët, të cilët paraqitën ankesat e tyre lidhur me vendimin për rrënimin e 12 shtëpive të tyre.

Komuna e Leposaviqit me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kishte vendosur që të rrënoheshin këto shtëpi, sepse sipas tyre janë ndërtime pa leje.

Por, ky vendim nuk u zbatua përkohësisht me ndërhyrjen e ministrit për Komunitete dhe Kthim në detyrë, Nenad Rashiq, duke hapur rrugën për dialog dhe kërkim të një zgjidhje.

Banorët e Leshakut po konsiderojnë se po u cenohen të drejtat e tyre.

Pas paraqitjes së ankesave të tyre, gjatë takimit avokati Qelaj tha se ekziston një ligj për objektet pa leje dhe se çdo komunë është e obliguar të ketë një regjistër për këto objekte.

Sipas tij, para se të merren vendime për rrënim, duhet të verifikohet nëse ato objekte paraqesin rrezikshmëri dhe t’u jepet mundësi banorëve për legalizim.

Përveç të tjerash, Qelaj tha se ky problem nuk është i pazgjidhshëm.

Ndërkaq, pas takimit me banorët, Qelaj para mediave theksoi se  banorët kanë ngritur shqetësimin se procedura deri në marrjen e vendimit për rrënim është zhvilluar pa transparencë, pa një informim të duhur, dhe se nuk janë konsultuar apo nuk u është dhënë mundësia të kërkojnë legalizim apo një alternativë tjetër, për të mos mbetur në rrugë.

Ai tregoi se u ka thënë banorëve se në çdo hap që do të ndërmarrin autoritetet publike, do të kërkohet që të garantohen të drejtat që u takojnë.

Qelaj tregoi se bëhet fjalë për 12 shtëpi, derisa potencoi se ekziston një ligj i veçantë për objektet pa leje, të cilit duhet referuar.

Këto 12 shtëpi në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviqit nuk do të rrënohen të paktën jo deri sa të vendoset një zgjidhje për familjet që jetojnë aty.

Në zonën e Leshakut këto shtëpi janë ndërtuar në mes viteve 2013 dhe 2015 ndërsa afër tyre së fundmi MPB-ja ndërtoi një stacion policor.

Ndërtimet ishin zhvilluar pa u penguar nga autoritetet lokale, derisa banorët pretendojnë që kishin marrë një pëlqim nga autoritetet lokale të asaj kohe për këto ndërtime./KP/