17:15 / E Diele, 16 Qershor 2019

“Veprim i gabuar shuarja e Bordit për Shqyrtimin e Ankesave”

Këshilltari për çështje ekonomike i kryeministrit, Haki Shatri, vendimin për ta shuar Bordin për Shqyrtimin e Ankesave e ka vlerësuar të gabuar.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është mëse i nevojshëm rifunksionalizimi i këtij bordi dhe se është bërë gabim kur është marrë vendim për suprimimin e këtij bordi.

“Me ndryshimin e  Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat është suprimuar bordi i Ankesave si institucion i pavarur profesional dhe është zëvendësuar me Divizionin Fiskal të Departamentit për çështje Administrative pranë Gjykatës Themelorë ne Prishtinë. Me ketë ndryshim procedurat e ankimimit janë komplikuar dhe si rrjedhojë janë tejzgjatur. Koha e shqyrtimit të ankesave të palëve siç deklarohen disa ankimues është deri në dy ose tri vite. Në anën tjetër ankesa në divizionin fiskal, palët që ankohen nuk i liron nga obligimi i deklaruar nga Administrata Tatimore  apo nga Doganat. Pala duhet ta shlyejë obligimin brenda afatit ligjor dhe njëkohësisht të ankohet. Kuptohet nëse ankesa e palës është e arsyeshme. Vonesa e shqyrtimit të ankesës e dëmton palën”, ka thënë Shatri, duke shtuar se bordi i shqyrtimit të ankesave i cili më parë ka pasur 15 anëtarë e me vonë është rritur në 17 anëtarë ka qenë më efikas në aspekt të kohës.

Në këtë drejtim, ai ka theksuar se përgjigjët u janë kthyer palëve në afat, brenda dy ose tri  javëve. “Pasuesi i dytë të riformulohet si vijon: Me draft-ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat i cili është përgatitë nga MF-ja dhe është dërguar në Zyrën Ligjore, pra është në procedurë të miratimit, është paraparë rikthimi i Bordit të Ankesave, përafërsisht  siç ka qenë deri në fund të vitit 2012”, ka thënë ai.

Zërave që ky bord nuk mund të jetë i pavarur, Shatri u është përgjigjur: “Me të pavarur se kur të emërohen nga Kuvendi nuk mund të jenë në asnjë formë. Kuvendi nuk bën biznes. Ky bord nuk ka për t’i kontrolluar as shqyrtuar lëndët e Kuvendit por do t’i shqyrtojë ankesat e bizneseve që eventualisht pretendojnë se u është bërë e padrejtë eventualisht nga Administrata Tatimore e Kosovës apo Dogana e Kosovës”, u shpreh ai.

Shatri më tej ka deklaruar se menjëherë pas shqyrtimit duhet të nis procedura e përzgjedhjes së kandidatëve. “Bordi sigurisht se do të paguhet nga buxheti qeveritar dhe do të jetë lehtësim për bizneset”, ka thënë Shatri..