12:13 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / OSH

Verifikimi i pasurisë së pajustifikueshme, Kurti: Konfiskimin nuk e bën byroja, por gjykata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se konfiskimi i pasurisë do të bëhet nga gjykata e cila më pas e garanton procedurën profesionale dhe respektimin e të drejtave të palëve.

Në seancën ku po diskutohet për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Kurti sqaroi se konfiskimin nuk e bën Byroja, por vetëm e inicion verifikimin, transmeton Klankosova.tv.

“Për projektligjin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është punuar me kujdesin më të madh. Konfiskimi i pasurisë do të bëhet nga gjykata, gjykata e garanton procedurën profesionale dhe respektimin e të drejtave të palëve. Konfiskimin nuk e bën byroja, por gjykata. Procedurën e verifikimit e inicion byroja, ku përmes zyrtarëve të saj bëhet verifikimi i pasurisë së palës. Nëse ka shpërputhje në mes të hyrave dhe pasurisë atëherë byroja ka të drejtë të paraqesë në gjykatë për vlerësim të mëtutjeshëm”.

“Nuk e bën byroja konfiskimin, por vetëm e inicion verifikimin. Byroja nuk është prokurori përveç se nuk është gjykatë, s’mund të jetë prokurori. Projektligji është i qartë dhe nuk e cenon pavarësinë e shtetit. E gjithë procedura para gjykatës është procedurë civile. Byroja kurrë nuk do të jetë një agjenci që ndjek dhe përndjek kundërshtarët politikë. Kjo s’do të thotë që amnistojmë krime të bëra para vitit 2008, asnjë amnistim të asnjë krimi. Pasuria do të verifikohet për gjithë zyrtarët shtetërorë, të ekspozuar politikë dhe të afërmve të tyre. Byroja i merr të dhënat nëpërmjet bashkëpunimit të saj, përmes projektligjit do t’i mundohet qasja dhe bashkëpunimi me agjenci shtetërore që marrin të dhëna të ndryshme. E drejta e ankesës është e përhershme dhe e patjetërsueshme. Ankesë kanë të drejtë si byroja ashtu edhe pala”, tha Kurti.