21:54 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Veriu në karantinë!Çfarë duhet vepruar sipas analistëve

Veriu i vendit jo rrallë herë është cilësuar si njëra nga sfidat kryesore që ka cenuar jo vetëm një herë po disa herë shtetësinë e Kosovës. Sfidat që nga mbajtja e zgjedhjeve, bojkotimi i tyre e mos funksionimi i sistemit gjyqësor në tri komunat veriore,  janë ato që po e shoqërojnë Kosovë që nga pavarësimi i saj në vitin 2008.

E në këtë kohë pandemie Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, po vazhdojnë të sfidojnë mekanizmat shtetëror kosovar, duke u futur në karantinë që nga dje me urdhër të shtetit serb.

Për një vendim të tillë IndeksOnline që në mëngjes ka nisur pyetje në adresë të qeverisë së Kosovë, por se ende nuk ka marrë një përgjigje.

Në anën tjetër analistët politik në vend vlerësojnë se situata të tilla Kosova ka pasur në vazhdimësi, kur komunat veriore sfidojnë direkt shtetin dhe institucionet e Kosovës, duke ua bërë me dije se për to vendime merr Beogradi zyrtar.

Analisti Ramush Tahiri i pyetur nga IndeksOnline, tha se një situatë e tillë është paraqitur edhe gjatë qeverisë Kurti, por se  më pas ishte thënë se qeveria e kaluar  kishte deklaruar se vendimin e kishin marrë këshilli i këtyre komunave.

Njëjtë sipas Tahirit do të arsyetohet edhe qeveria e Avdullah Hotit, duke thënë se vendimi nuk ishte nga ana e qeverisë serbe, por qeverisë lokale.

Ne anën tjetër ai këshillon ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të vizitoj këtë pjesë të vendit e të gjejnë një zgjidhje për situatën atje.

“Politikisht kjo është keq, dhe ministri Armend Zemaj duhet të shkoj tek këto komuna e të bisedoj me kryetarët e këtyre komunave e ta zgjidhin këtë çështje”, theksoi Tahiri.

Ndërsa për politologun Behlul Beqaj, Kosova nuk duhet të ketë iluzione për komunat veriore, duke thënë se po vazhdojnë të barten problemet e njëjta nga një qeveri në tjetër.

“Nuk duhet me pas iluzion, pjesa veriore  ne ndoshta formalisht e kemi pushtetin në veri, por faktikisht pushtetin nuk e kemi. Veç është bartjen e një problemi nga një qeveri në një tjetër dhe kjo ka filluar nga momenti kur është shpallur shteti i pavarur i Kosovës duke mos pasur mundësinë e shtrirjes së pushtetit në veri, por kjo çështje është fshehur nga qytetarët dhe është nënkuptuar se gjoja ne e kemi pushtetin atje”, tha Beqaj.

Ndërsa dy analistët kanë komentuar edhe propozimin e kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani që deputetët të votojnë një deklaratë/rezolutë me anë të së cilës do t’i kërkohet qeverisë të largojnë nga kabineti qeveritar anëtarët e saj, të cilët i janë bashkëngjitur Vuçiqit në fushatën politike e diplomatike kundër vendit tonë.

“Vjosa Osmani ka ba deklaratë për politik, ka ba deklaratë përmes medieve, nuk e ka dërguar rezolutën me protokolu zyrtarisht. Se a e largon e Listën serbe dhe a shkon qeveria Hoti në shtëpi, këtë nuk e di, por se Lista serbe është deklaruar gjithmonë se e përkrahin këdo që është në pushtet në Serbi dhe kështu do të jetë edhe kur të na njeh Serbia”, tha Tahiri për IndeksOnline.

E për Beqajn reagimi i Osmani është i drejtë por se si i tillë nuk mundet të mbështetet nga shumica parlamentare, pasi që kjo automatikisht do të nënkuptonte rrëzim të qeverisë.

“Reagimi i kryetares së Kuvendit është i drejtë, por qeveria varet nga Lista Serbe përkatësisht nga Beogradi, në këtë rast kërkesa e drejtë nuk mundet me u mbështet nga shumica parlamentare, për faktin se nëse mbështetet realisht njeh qeveria. Kemi një situatë kontradiktore kur ata që kanë të drejtë nuk munden të mbështeten  pikërisht nga ata të cilët kanë marrë mbështetjen e sovranit të Kosovës”, nënvizoj Beqaj./IndeksOnline/