18:47 / E Diele, 27 Qershor 2021 / C E

Verstappen triumfon sërish në Austri, gara për titull bëhet më interesante

Max Verstappen po kalon një moment fantastik në Formula 1, duke e bërë gjithmonë e më interesante garën për titullin kampion, pasi sot ka regjistruar një tjetër sukses dhe ka nisur shkëputjen në krye të renditjes për pilotë.

Piloti holandez i skuadrës Red Bull triumfoi në Çmimin e Madh të Stirisë në Austri, duke regjistruar kështu fitoren e katërt sezonale dhe të tretën në 4 garat e fundit, çka e ka ngjitur në krye të renditjes me 156 pikë, 18 më shumë se kampioni në fuqi i botës, Lewis Hamilton.

Gara e sotme në Spielberg pati shumë pak histori, me Verstappen që dominoi dhe fitoi pa vështirësi, ndërsa menjëherë pas tij përfunduan dy pilotët e Mercedes, Lewis Hamilton dhe Valteri Bottas.

Red Bulli i Sergio Peerez e mbylli garën i katërti, i ndjekur nga Lando Norris, që bëri një tjetër garë të mirë, duke u renditur i pesti. Pas tij erdhën dy makinat Ferrari, Carlos Sainz i 6-i dhe Charles Leclerc i 7-1, me këtë të fundit që u tërhoq në bokse në fillim, për shkak të një problemi, por më pas bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, duke u ngjitur ndjeshëm.